Greqia në alarm të kuq: 9 rajone preken nga stuhia 'Byron'

Stuhia e fuqishme “Byron” ka goditur me intensitet të lartë Greqinë duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëme të mëdha në disa rajone të vendit. Sipas autoriteteve, moti pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë ditës së sotme (4 dhjetor), ndërsa nëntë rajone, përfshirë edhe Atikën, janë vendosur në gatishmëri të lartë nga alarmi shtetëror.

Ndërkohë, zona të tëra në perëndim, të prekura që më herët, po përballen me probleme serioze. Mesazhe urgjente të 112 janë dërguar në Lakoni dhe Pieria, ndërsa në Zakynthos situata është kritike për shkak të përmbytjeve masive.

LEXO EDHE: Moti i keq godet Greqinë, stuhia 'BYRON' shkakton reshje ekstreme shiu

Zakynthos nën ujë, rrugë të mbyllura dhe thirrje për të shmangur lëvizjet

Në Alykes, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe fushave. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të lëvizin vetëm në raste emergjence.
Rruga krahinore Zakynthos–Alykon është mbyllur pjesërisht, ndërsa probleme të shumta janë raportuar edhe në fshatrat Koukesi dhe Lithakia ku kanë ndodhur rrëshqitje të vogla toke.

Platanos në Gytheio i shkatërruar banorët: Katastrofë biblike

Një nga zonat më të goditura është fshati Platanos në Gytheio, ku rrugët janë kthyer në lumenj balte dhe shtëpitë janë përmbytur deri në tavanet e kateve përdhese.

Banorët, shumë prej të cilëve të moshuar, kanë mbetur të izoluar dhe po presin ekipe shpëtimi me varka, pasi mungojnë energjia, uji dhe mjetet e komunikimit.

Janë raportuar dëme të mëdha në:

shtëpi

toka të mbjella

makina dhe makineri bujqësore

bagëti, të cilat janë rrëmbyer nga ujërat e rrëmbyeshme

Shkollat mbyllen në disa ishuj grekë

Për shkak të fenomeneve ekstreme të motit, disa bashki kanë urdhëruar mbylljen e shkollave të premten, më 5 dhjetor.

Shkollat që do të jenë të mbyllura:

Rodos – të gjitha nivelet arsimore dhe qendrat sportive

Thira (Santorini) – të gjitha njësitë shkollore

Tilos – arsimi fillor dhe i mesëm

Symi – të gjitha shkollat e edukimit fillor dhe të mesëm

Kastellorizo – të gjitha shkollat, si masë paraprake

Kryetarët e bashkive u bëjnë thirrje banorëve që të kufizojnë lëvizjet për shkak të kushteve të vështira dhe rrezikut të lartë.