Turizmi mizor i snajperëve në Bosnjë, gazetari sjell detaje të reja nga hetimi

1 mijë 425 ditë rrethim, mbi 11 mijë e 500 të vrarë — më shumë se një mijë prej tyre fëmijë — mbi 50 mijë të plagosur dhe mesatarisht 300 predha në ditë. Këto janë vetëm disa nga faktet e ftohta të rrethimit më të gjatë në historinë bashkëkohore: rrethimit të Sarajevës, gjatë luftës në Bosnje.- Advertisement -

Ekskluzivisht për Radio Rijekën ka folur Ezio Gavazzeni, shkrimtar dhe gazetar italian, fitues i shumë çmimeve, i cili 30 vjet pas përfundimit të luftës ka nisur një hetim të ri, ka mbledhur prova dhe ia ka dorëzuar ato Prokurorisë së Milanos.

Kjo ka qenë intervista e tij e fundit para publikimit të librit “Sarajevo Safari”, që pritet të dalë në pranverën e vitit 2026, shkruan HRT.

Fenomeni i “Sarajevo Safarit” — ku të pasur evropianë, përfshirë italianë, thuhet se paguanin shuma marramendëse për të qëlluar civilë boshnjakë nga pozicionet e ushtrisë së Bosnjës së Serbisë — nuk është i panjohur. Qysh në vitin 1995 ishin botuar artikuj në gazetat italiane Corriere della Sera dhe La Stampa, ndërsa dokumentari i regjisorit slloven Miran Zupanic solli dëshmi të shumta, përfshirë rrëfimin e Edin Subashiqit, ish-pjesëtar i inteligjencës ushtarake boshnjake.

Atëkohë, sipas Gavazzenit, kishte edhe dëshmi të mbledhura nga Gjykata Popullore e Përhershme në Itali, një trupë e ngjashme me Tribunalin e Hagës që merret me shkeljet e të drejtave të njeriut. Megjithatë, prokuroritë në Milano dhe Torino nuk hapën hetim.