Berisha: Rama po ushtron një presion të tmerrshëm dhe banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese

Kryetari i PD, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit nuk i ka kursyer akuzat ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, lidhur me shqyrtimin ose jo të pezullimit të Belinda Ballukut si ministre pas vendimit të GJKKO.

Në fjalën e tij në Parlament,Berisha tha se Rama po ushtron një presion të tmerrshëm dhe banditesk mbi Kushtetuesen, një praktikë kjo e ngjashme vetëm në diktaturën komuniste.

‘Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, kur për Enver Hoxhën, për arsye të sigurisë kombëtare, por jo për Mehmetin, por vetëm për Enverin, shpenzimet ishin në një llogari të veçantë ku përveç Nexhmijes, askush nuk mund t’i kontrollonte’, u shpreh Berisha.

Pjese nga fjala e Berishës sot në Kuvend 

Zonja dhe zotërinj deputetë, të dashur qytetare dhe qytetarë.

Ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp.

Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve.

Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese.

Në të cilin një njeri ka vendosur me vendim të fshehtë të gjitha shpenzimet e tij.

Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, kur për Enver Hoxhën, për arsye të sigurisë kombëtare, por jo për Mehmetin, por vetëm për Enverin, shpenzimet ishin në një llogari të veçantë ku përveç Nexhmijes, askush nuk mund t’i kontrollonte.

Ky është parlamenti që mblidhet në ditët e krizës më të thellë, e akteve më antidemokratike, në një kohë kur një ministre është zbërthyer me të gjithë qenien e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet etj, etj, të gjetura në telefonat e Evis Berberit.

Në një kohë që një kryeministër është i kapur në çark si miu në telefonat, me mesazhet në telefonat e Evis Berberit.

Në një kohë që vërtetohet se oferta 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 milionë euro të kompanisë turke pas udhëtimit në Ankara të Edi Ramës me atë që quhet Lubi Balluku.

Në një kohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90 përqind e të gjitha fondeve të investimeve vidhen, vidhen, vidhen dhe nuk gjinden.