Shkencëtarët janë shumë pranë krijimit të një vaksine universale kundër kancerit

Një vaksinë e re e bazuar në nanogrimca ka arritur të parandalojë me sukses disa forma agresive të kancerit te minjtë, përfshirë melanomën, kancerin e pankreasit dhe kancerin e gjirit trefish negativ. Studimi, i kryer nga një ekip në Universitetin e Massachusetts Amherst, tregoi se deri në 88% e minjve të vaksinuar mbetën pa tumore, ndërsa përhapja e kancerit në trup u ul ndjeshëm ose u bllokua plotësisht.

Vaksina funksionon duke trajnuar sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë antigjenet e kancerit, duke krijuar një “kujtesë imunitare” afatgjatë. Sipas profesoreshës Prabhani Atukorale, autore kryesore e studimit, nanogrimcat janë dizajnuar në mënyrë që të aktivizojnë sistemin imunitar përmes disa rrugëve njëkohësisht, duke kombinuar sinjale të forta alarmi me antigjene specifike të kancerit.

Në fazën e parë të eksperimentit, studiuesit përdorën antigjene të njohura të melanomës. Tri javë pas vaksinimit, minjtë u ekspozuan ndaj qelizave kancerogjene. 80% e minjve të vaksinuar me këtë superndihmës mbetën pa tumore gjatë gjithë studimit 250-ditor, ndërsa të gjithë minjtë në grupet e tjera zhvilluan tumore dhe nuk mbijetuan më shumë se 35 ditë. Vaksina gjithashtu frenoi përhapjen e melanomës në mushkëri, duke treguar mbrojtje të plotë kundër metastazave.

Në fazën e dytë, për të shmangur nevojën për antigjene të personalizuara për çdo lloj kanceri, shkencëtarët përdorën qeliza kancerogjene të çaktivizuara nga vetë tumori (lizë tumorale). Minjtë e vaksinuar me këtë formulë u ekspozuan më pas ndaj tre llojeve të kancerit. Rezultatet ishin shumë premtuese: 88% e rasteve të kancerit të pankreasit, 75% e kancerit të gjirit dhe 69% e melanomës u refuzuan nga organizmi. Të gjithë minjtë që mbetën pa tumore i rezistuan edhe metastazave pas ekspozimit të mëvonshëm.

Sipas studiuesve, sekreti i suksesit qëndron në strukturën unike të nanogrimcës, e cila kombinon në mënyrë të qëndrueshme antigjenin me dy përbërës të fortë që stimulojnë sistemin imunitar. Kjo platformë konsiderohet fleksibël dhe mund të përshtatet për shumë lloje kanceri, si për parandalim ashtu edhe për trajtim.

Ekipi ka themeluar edhe një kompani, NanoVax Therapeutics, për të çuar këtë teknologji drejt provave klinike te njerëzit, me synimin për të përmirësuar realisht jetën e pacientëve. /Scitech Daily - Syri.net