'Kjo është vjedhje e pastër’, Përplasja Qarri–Pipiria për rivlersimin e pronave: Çmime europiane, zero infrastrukturë
Tema mbi rivlerësimin e pronave në emisionin e mëngesit, ‘Kafe Shqeto’, solli një debat që prek drejtpërdrejt realitetin e shqiptarëve.
I ftuar në studio, Reinaldo Pipiria, agjent imobiliar dhe drejtues në ‘NAREA’, foli mbi rivlerësimin e pronave, të cilën qeveria e paraqet si “lehtësi fiskale”. Por gazetari Flavio Qarri ngriti pyetjet që institucionet i shmangin prej vitesh.
Qarri vuri theksin te absurditeti me të cilin përballen qytetarët: çmime deri në 2500 euro për metër katror dhe zero infrastrukturë në lagjet e reja pa trotuare, pa çerdhe, pa kanalizime dhe pa asnjë investim publik.
“Kjo nuk është barrë fiskale, kjo është vjedhje e pastër.”- u shpreh gazetari
Pipiria nga ana tjetër mbrojti masën si proces teknik, por përgjigjja e tij “Po mos e bli atëherë” u lexua si shkëputje nga realiteti i qytetarëve, një fenomen që Syri TV e denoncon prej kohësh.
Ky debat në studio nxori në pah kontrastin mes retorikës zyrtare dhe jetës së përditshme të shqiptarëve, të cilët paguajnë si në Europë, por marrin shërbime të vendeve të varfra.
Pjesë nga debati në studio:
Pipiria: ...Në 5% sa më në përputhje me tatimet dhe sa më shumë të shfrytëzosh uljen e tatimeve, aq më e lirë do të dali prona në treg, aq më likuide do të jetë prona. Kështu që kur e ke pronën të rivlerësuar, e ke gati për t'u tregtuar dhe nuk ke një barrë fiskale ekstra, pra nuk ke taksa ekstra për të paguar në momentin që e tregton, atëherë prona është likuide, është shumë lehtë e shitshme, është konkurruese në treg. Dhe ti si shitës do harxhosh më pak energji dhe më pak kosto për ta, për ta marketuar dhe për ta shitur.
Flavio Qarri: Ndërkohë, meqë jemi te këto 3%-shat dhe 5%-shat, është një 3% dhe 8% që unë nuk e kuptoj. Është taksa e ndikimit në infrastrukturë, me sa di unë.
Pipiria: Jo, janë, janë dy koncepte, janë dy koncepte të ndryshme. 3%-shi që ne kemi përmendur tek projektligji për rivlerësimin, themi që duhet të ketë një trajtim të diferencuar për banesat dhe për individët. Sidomos për banesën e parë. Pra, nëse unë jam një individ që kam një shtëpi dhe po e rivlerësoj, atëherë të lutem mos më trajto si një sipërmarrje, mos më trajto si një biznes duke më dhënë 5% barrë fiskale, por ma jep 3% tatimin mbi... Jo, ishte, ishte më vete...
Flavio Qarri: E kuptoj. Po.
Pipiria: Ndërkohë 8%-shi, atëherë sot në një moment kur ti do të ndërtosh po themi një ndërtesë rezidenciale për banim, sot ti në qytetin e Tiranës, se nuk jam i sigurt për qytetet e tjera, por në qytetin e Tiranës ti tatohesh, ti ke një barrë. 1% që është tarifa për leje zhvillimore, 8% që është taksa mbi ndikimin në infrastrukturë dhe 3% e cila është taksa për, po themi, për të pastrehët. Dhe më pas ke dhe disa kosto të tjera...
Flavio Qarri: Një sekond, pra, një sekond. Këtu dua të ndaloj. Tani, me këtë sistem dhe me këtë barrë fiskale që gjasme është për ndërtuesin, po të gjithë e dimë që e ha klienti fundor. Pra, qytetari i zakonshëm.
Pipiria: Po në çdo vend, në çdo ekonomi, të gjithë po themi...
Flavio Qarri: Po pra, ai fundori do e hajë.
Pipiria: Konsumatori fundor i përballon të gjitha kostot.
Flavio Qarri: Një sekond tani, një sekond, më ndiq pak, të lutem. Se e kam shumë të rëndësishme për atë që dua të pyes. Ky 1%-sh, 8%-shi për ndikimin e infrastrukturës, 3%-shi për të pastrehët, që sa u bënë, i thonë, gjë 13%? Pyetja është kjo: ndërkohë që ka këtë barrë fiskale për xhepin e qytetarit të thjeshtë, si ka mundësi që nuk ka asnjë lloj përmirësimi të infrastrukturës së qytetit jashtë apartamentit që ti ke blerë? A nuk do të duhej të ishte edhe kjo pjesë e inkorporuar në vlerën e apartamenteve?
Pipiria: Unë nuk jam një urbanist dhe nuk do të doja të komentoja pjesën e...
Flavio Qarri: Si ka mundësi që për gjithë pjesët problematike ti s’ke një përgjigje asnjëherë, o vëlla?
Pipiria: Po të lutem, po të lutem Flavio, të lutem. Unë jam ekonomist dhe merrem me...
Flavio Qarri: Po është pjesë e ofertës.
Pipiria: Ajo që unë jam duke thënë dhe ajo që ne kemi thënë, mbajmë linjën, po themi, me shumë integritet në media dhe në komision dhe kudo, themi që kjo barrë fiskale është e rëndë për xhepat e qytetarëve. Unë nuk po flas nëse kjo do ishte... apo na rregullohet... kjo barrë fiskale që rëndonte qytetarët sepse ishte në procesin e krijimit.
Flavio Qarri: Jo, s’është e rëndë, kjo është vjedhje. Më fal. Kjo është vjedhje, e para. Ky 12%-shi është vjedhje e pastër. Nëse unë nuk kam trotuar… unë banoj në një lagje ku është çmimi mesatar 2,500 euro metri katror dhe unë nuk kam trotuar. Nuk kam as çerdhe, kopësht, qendër shëndetësore, kanalizime e të tjera e të tjera, por është nga këto lagjet e reja që ju keni qejf t’i shisni, ju relatorët. Po s’ka asgjë aty.
Pipiria: Po mos e bli, çfarë të them unë? Ajo që jam duke thënë...
Flavio Qarri: Po diku do jetoj, ç’është kjo “mos e bli”? Del jashtë…
Pipiria: Po të lutem tani, domethënë të fillosh dhe të atakosh në këtë mënyrë, që “ju keni qejf të shisni”…
Flavio Qarri: Po s’po të atakoj, s’po të atakoj mo, po të pyes. Pse e ndjen si sulm një pyetje të drejtpërdrejtë?
Pipiria: Nuk do t’i hyj… jo mo, jo, s’është pyetje. Nuk është pyetje e drejtpërdrejtë, por del jashtë temës dhe nuk informon qytetarët për atë që ata duhet të kenë parasysh, çfarë do të ndodhë më 1 janar të 2026-ës. Infrastruktura nuk do të ndryshojë më 1 janar 2026. Do kohë të përmirësohet e të bëhet si vendet europiane. Sot po flasim për çfarë do të ndodhë më 1 janar 2026 dhe si qytetarët të përfitojnë sa më shumë nga kjo lehtësi fiskale, që nga 15% është 5%. Mund të ishte 3%, mund të ishte pak më tepër, mund të kishim taksa më të ulëta, patjetër. Mund të ishim pak më të ngjashëm me vendet e Bashkimit Europian. Fatkeqësisht nuk jemi, por nuk e ndryshojmë dot më 1 janar 2026.
Flavio Qarri: Dhe prandaj të pyeta për këtë 12%-shin. Nga 15 në 3, a e rekuperon që është fiks 12%?
Pipiria: Kjo 15, kjo 15 nga tre i jep mundësi që të gjitha pronat të cilat duan të dalin në treg, të dalin të padeformuara me një barrë të rëndë fiskale. Më pas ka një tjetër diskutim që duhet të bëhet: çfarë ndodh me ndërtimin dhe çfarë ndodh me ndërtimin për banesa të përballueshme. Këtu, po, ka vend që këtë 12%-shin që sot ia ngarkojnë ndërtuesit, ta çojmë shumë më poshtë; ndoshta ta çojmë pesë, ndoshta tre hajde të flasim siç është në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian.