Shevchenko: Po, Leao do të kishte pasur vend edhe te Milani im
Andriy Shevchenko, në një intervistë për “Tuttosport”, ka komentuar mbi gjendjen e Milanit dhe punën e trajnerit Massimiliano Allegri. “Më pëlqen atmosfera që shoh te Milani. Ekziston entuziazëm, lojtarët i kanë përvetësuar idetë dhe organizimin që Max solli. Nuk kam punuar asnjëherë me të, por e njoh mirë dhe e vlerësoj shumë. Allegri ka një karrierë të jashtëzakonshme. Nuk mund të them se ‘Djalli’ është favorit absolut për titullin, por është aty lart, në një moment të shkëlqyer. Mungesa e angazhimeve europiane i ndihmon të përgatiten më mirë dhe të ruajnë energjitë”, u shpreh ai.
I pyetur për Rafael Leaon, ish-sulmuesi legjendar shtoi: “Ai nuk është qendërsulmues tipik, por lojtar krahu. Me organizimin e duhur, Rafa ka aftësi për të goditur fort dhe shpejt. Po jep rezultate të mira, po shënon dhe po mëson të përshtatet me një rol të ri. Sigurisht që nuk do të jetë gjithmonë e thjeshtë, sepse një sulmues duhet të dijë të finalizojë në çdo situatë”.
Në fund, Shevchenko iu përgjigj pyetjes nëse Leao do të kishte vend në Milanin e tij: “Po, padyshim. Nuk e di nëse do të ishte titullar i përhershëm, por një vend do të gjendej, sepse Rafa është sulmues me karakteristika të veçanta”.