VIDEO/ Vata: Banorët e Kurdarisë dhe Suçit në Mat po mbrojnë sot lumin, ujin dhe jetën e tyre

Deputetja e PD-së në Mat Denisa Vata ka dalë në krah të banorëve të fshatrave të Kurdarisë dhe Suçit, që protestojnë për ujin e tyre.

Reagimi i deputetes së PD, Denisa Vata:

Banorët e Kurdarisë dhe Suçit po mbrojnë sot atë që u takon me ligj dhe me të drejtë: lumin, ujin dhe jetën e tyre.

Prej muajsh protestojnë kundër një HEC-i të miratuar pa asnjë konsultim, pa transparencë dhe me vendim të qeverisë qendrore: Vendimi i KKT nr.17, datë 24.04.2024.

Sot, nën praninë e policisë, banorët bllokuan sërish makineritë dhe detyruan kompaninë të tërhiqet.

Jo sepse duan konflikt. Por sepse nuk i ka dëgjuar askush.

Dhe ndërsa 700 banorë firmosin kundër projektit, Gjykata Administrative vendos në disfavor të tyre, duke e lënë në fuqi një proces të mbushur me mungesë transparence.

Nëse zëri i 700 banorëve nuk mjafton, atëherë çfarë duhet më shumë?

A nuk është komuniteti palë e parë kur preket mjedisi, uji dhe jeta e tyre?

Ndërkohë, Delegacioni i BE-së ju ka konfirmuar banorëve se çështja është në shqyrtim dhe do të ngrihet në bisedimet me qeverinë shqiptare, pikërisht sepse mbrojtja e mjedisit, e pronës dhe e të drejtave të qytetarëve janë vlera themelore europiane.

Matjanët meritojnë të dëgjohen para vendimeve jo të marrin vesh gjithçka pasi firmat janë hedhur.

Deri atëherë, zëri im do të jetë edhe zëri i tyre.

Ndiqni videon.