Zhulali: Alarm i kuq nga SHBA, Shqipëria në prag të autokracisë, drejtësia ka dështuar plotësisht
Një dëshmi e fortë e dhënë në Kongresin Amerikan nga eksperti i njohur i Ballkanit, Edward Joseph, ka hapur debat të gjerë në Tiranë dhe në qarqet diplomatike në SHBA. Joseph deklaroi se “në Shqipëri ka rënë pluralizmi politik”, duke ngritur alarmin për përkeqësimin e demokracisë dhe probleme serioze në funksionimin e shtetit ligjor.
Profesori i njohur ishte një nga pjesëmarrësit në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për çështjen e Ballkanit.Gjatë fjalës së tij, Joseph nënvizoi se progresi i Shqipërisë drejt BE-së nuk shoqërohet me përmirësime të prekshme në sundimin e ligjit.
Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, komentoi deklaratat e Joseph sot në Task Force, duke i cilësuar “tronditëse” për mënyrën se si perceptohet Shqipëria në Washington. Sipas saj, rëndësia e fjalës së Joseph është shumë e madhe, pasi ai konsiderohet një nga zërat më të besueshëm të administratës amerikane për çështjet e Ballkanit.
Zhulali deklaroi: “Për herë të parë ai flet me kaq qartësi për Shqipërinë dhe fjalitë e tij janë të tmerrshme. Kur thua se në Shqipëri nuk ka pluralizëm, ke thënë se ka autokraci. Aty nuk ka më diskutim për drejtësi.”
Ajo theksoi se Joseph flet për persekutim politik të opozitës, manipulim zgjedhor dhe dështim të reformës në drejtësi.
“Qytetarëve u është mohuar e drejta për akses në drejtësi, një e drejtë universale”, – u shpreh Zhulali.
Sipas saj, këto deklarata në një kontekst amerikan “kumbëjnë fort dhe ndezin alarme”, duke sinjalizuar presione të mundshme të reja diplomatike ndaj Tiranës.
Zhulali:
Mos harrojmë që Eduart Joseph është një nga njohësit më të mirë të Ballkanit perëndimor gjithashtu një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë edhe të Departamentit të Shtetit, edhe të Kongresit Amerikan.
Pra, përveçse një pedagog, në universitet, është dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të administratës amerikane për t'i bërë ata të kuptojnë se çfarë ndodh dhe çfarë realiteti ka ky rajon.
Kështu që ai flet për herë të parë për Shqipërinë si një, si të thuash, si një dëshmitar dhe vëzhgues shumë i hollë i situatës në Shqipëri. Ai ka folur shumë herë për Kosovën, për Serbinë, po është hera e parë që flet për Shqipërinë dhe fjalitë e tij janë të tmerrshme, se kur thua që në Shqipëri nuk ka pluralizëm, ti ke thënë që në Shqipëri ke autokraci.
Kjo është e barabartë. Aty nuk ka më diskutim pastaj për drejtësi, për sistem drejtësie. Nuk ka. Në autokraci nuk ka drejtësi.
Ai flet për persekutim politik të opozitës. Ai thotë që zgjedhjet manipulohen, pra ka rrëzuar të gjithë sistemin me dy, tre shprehje kyçe. Dhe nga ana tjetër, edhe kryetari i nënkomitetit për Europën, Keith, bën të njëjtin vlerësim, por ai ia zgjeron pak fushëpamjen dhe e zbret tek qytetari i thjeshtë.
Pra kjo reforma e drejtësisë që do të vinte në Shqipëri, jo vetëm që nuk ka sjellë ato rezultate që pritej në aspektin politik, siç i përmendi për shembull Joseph, por dhe tek qytetari ka qenë një dështim total, sepse është e pamendueshme që një qytetari t'i mohohet e drejta kushtetuese, se në Shqipëri kjo është kushtetuese, por është e drejtë universale për të pasur akses në drejtësi. Kjo i është mohuar atyre.
Dhe në një realitet amerikan, këto fjali kumbëjnë fort, ëh, dhe zgjojnë këmbanat e alarmit atje dhe krijojnë presione.
Këto raporte bashkohen dhe bashkë me të tjera vlerësime të Departamentit të Shtetit pastaj shkojnë për të marrë qëndrime politike.
Dhe për të ndryshuar trajektoren e marrëdhënieve.