SYRI TV/ 3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e PAK, mungon infrastruktura e politikat mbështetëse
3 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kjo ditë e caktuar synon promovimin e të drejtave, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë që në vendin tonë, ky komunitet përballet me problematika të shumta. Në cdo qytet mungon infrastruktura në terren, ndërkohë që problem përbën edhe mungesa e politikave konkrete që garantojnë një jetë dinjitoze dhe përfshirje të vërtetë në shoqëri.
SYRI TV
3 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, një komunitet i cili cdo ditë përballet me sfida dhe problematika të shumta. Ky komunitet kërkon vëmendje më të madhe nga institucionet përgjegjëse, politika konkrete që garantojnë një jetë dinjitoze dhe përfshirje të vërtetë në shoqëri.
Në qytetin e Vlorës janë rreth 1500 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa vetëm dy prej tyre janë të punësuar, një situatë që tregon mungesën e theksuar të politikave efektive për përfshirjen e tyre në tregun e punës. Një shqetësim tjetër mbetet aksesueshmëria në hapësirat publike, pasi në pjesën më të madhe të qytetit mungojnë rampat, ndërsa mbështetja financiare është fare minimale.
Kreu i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve në këtë qytet, Hysen Muhameti, thekson se komuniteti ka reaguar shpesh duke kërkuar zgjidhje, por situata vazhdon të mbetet e pandryshuar.
Me sfida dhe probleme të shumta përballen cdo ditë edhe fëmijët me aftësi ndryshe në Shkodër. Një gjë e tillë pranohet nga Enkeleda Mataj, drejtore e shkollës speciale “3 Dhjetori” në këtë qytet, e cila thekson se problem mbeten shërbimet e terapive, logopedive dhe fizioterapisë.
Ndërkohë në Korcë shqetësim përbëjnë kërkesat në rritje për të marrë mësim dhe terapi në shkollën special të qytetit. Aktualisht në këtë shkollë marrin çdo ditë shërbime rreth 40 fëmijë, ndërkohë që hapësirat duken të ezauruara ndaj dhe shihet e nevojshme krijimi i hapësirave të reja për këtë kategori. Dicka të tillë e pranon edhe drejtoresha e kësaj qendre, Marjana Jorgji
Ndërkohë prindërit e fëmijëve shprehen se sfidat janë të shumta, nga vështirësitë në gjetjen e shërbimeve, tek mungesa e strukturave të dedikuara dhe problematika e pranimit social
Kërkesat kryesore të personave me aftësi të kufizuara mbeten krijimi i infrastrukturës së duhur, mbështetje më e madhe financiar dhe politika konkrete që garantojnë një përfshirje të vërtetë të tyre në shoqëri.