Gonzato rrëzon deklaratën e Marta Kos krah Ramës: OSBE/ODIHR evidentoi keqpërdorimin e shtetit dhe kushtet të pabarabarta të fushatës
Prej javësh, mazhoranca është përpjekur të mbulojë problemet e 11 majit duke u kapur pas deklaratës së eurokomisioneres Marta Kos, e cila i quajti zgjedhjet “të lira dhe të ndershme”. Por kjo propagandë mori goditjen më të fortë nga vetë Bashkimi Europian.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, shpalosi një qëndrim krejt të ndryshëm, duke e vënë qeverinë në pozitë të vështirë. Ai theksoi hapur se procesi elektoral ka pasur mangësi serioze, pikërisht ato që opozita ka artikuluar prej muajsh.
Në deklarimin e tij, Gonzato rikujtoi se raporti i OSBE/ODIHR ka evidentuar:
- keqpërdorim të burimeve shtetërore,
- kushte të pabarabarta gare,
- mbikëqyrje të dobët,
- mungesë neutraliteti institucional,
- transparencë të pamjaftueshme në financimin politik.
“Të gjitha këto janë rekomandime të raportit final të OSBE/ODIHR, i cili evidentoi sfida të rëndësishme, nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore te kushtet e pabarabarta të fushatës, mbikëqyrja e kufizuar dhe nevoja për të forcuar më tej neutralitetin institucional dhe transparencën në financimin politik. Adresimi i këtyre çështjeve është thelbësor jo vetëm për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, u shpreh Gonzato.
Kjo është një goditje direkte ndaj versionit zyrtar të mazhorancës, që ka tentuar të shesë idenë e një procesi model. BE ja bëri të qartë se realiteti ishte ndryshe.
Kjo u shpreh në tryezën e reformës zgjedhore, ku u debatua sidomos mbi financimin e partive, një pikë e ndjeshme për qeverinë, e akuzuar vazhdimisht për përdorimin e burimeve shtetërore në funksion elektoral. Ilirjan Celibashi propozoi sanksione të forta ndaj partive që nuk raportojnë financat, një mekanizëm që do të godiste sidomos abuzimet e mazhorancës me fondet publike.
Ndërkohë, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e artikuloi qartë problemin që qeveria ka shmangur prej vitesh: ndikimin e parave të dyshimta në politikë. Ai ngriti alarmin për financime të pakontrolluara dhe rrezikun e aktorëve të jashtëm apo të krimit të organizuar, çështje që bien ndesh me deklaratat e qeverisë për “standarde europiane”.
“Çështja e parë që duhet parë janë burimet e financimit të partive: a janë të mjaftueshme dhe të pastra? A kanë partitë resurse që i bëjnë ato imune ndaj aktorëve të tretë të jashtëm apo edhe ndaj krimit të organizuar?”, u shpreh ai.
Megjithëse reforma kërkon konsensus, mazhoranca ka vendosur të ecë njëanshëm, duke u mbështetur në numrat e saj parlamentarë. Kjo qasje e forcon bindjen se qeveria nuk kërkon realisht të zgjidhë problemet, por t’i kontrollojë ato.