SYRI TV/ Rruga Kukës–Pukë e degraduar, shoferët: Kalimi në këtë aks, e rrezikshme
Rruga e vjetër që lidh Kukësin me Pukën është degraduar. Segmentet e amortizuara dhe ura kryesore e dëmtuar po rrezikojnë jetën e banorëve, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet. Ata ndihen te braktisur nga shteti duke thënë se nuk është ndërhyrje prej vitesh në këtë rrugë.
Syri TV
Rruga e vjetër që lidh Kukësin me Kalimashin, Shëmrinë dhe Pukën është kthyer në një problem serioz për banorët dhe drejtuesit e mjeteve. Segmentet e amortizuara, të mbushura me gropa dhe çarje, e bëjnë lëvizjen të vështirë dhe të rrezikshme, sidomos gjatë reshjeve të shiut.
Shoferë dhe banorë të zonës thonë se prej vitesh nuk është investuar në këtë aks rrugor, ndërsa kalimi është bërë i rrezikshëm.
Por problemi më shqetësues mbetet një nga urat kryesore të këtij segmenti, me gjatësi rreth 37 metra e cila ka dëmtime serioze strukturore në mbrojtëset anësore duke rrezikuar shembjen dhe jetën e qytetarëve.
Banorët shprehen se kalimi mbi të është bërë gjithnjë e më i pasigurt, duke rrezikuar aksidente.
Banorët e njësisë administrative Malzi e përdorin këtë rrugë çdo ditë për të shkuar në Kukës për shërbime, tregti dhe shkollim. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për rehabilitimin e aksit dhe riparimin e urës. Sipas kompanisë së mirëmbajtjes ‘Geci’, projekti për ndërhyrjet e nevojshme është përgatitur dhe i është dërguar ARRSH-së për alokim fondesh. Aktualisht pritet miratimi i fondeve për nisjen e punimeve.