Afera e Kolegjit të Europës/ Këlliçi ngre akuza për zhdukjen e miliona eurove nga qeveria dhe bashkia

Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare dhe institucioneve vendore, duke i lidhur ato me aferën e ndërtimit të Kolegjit të Europës në Tiranë. Sipas tij, rasti i shumëpërfolur i Federica Mogherinit në Europë nxjerr në pah edhe më qartë, mënyrën se si në Shqipëri janë devijuar dhe humbur me “magji” miliona euro nga fondet publike.

Në një postim në FB, Këlliçi në qendër të kritikave të tij vë 17 milionë eurot të destinuara fillimisht për studentët shqiptarë, të cilat u ridrejtuan për projektin e Kolegjit, si edhe rreth 5 milionë euro të tjera të përdorura më herët nga Bashkia e Tiranës për projektet universitare. Këlliçi apelon që qytetarët të reagojnë ndaj asaj që e cilëson si një aferë skandaloze financiare, duke kërkuar përgjegjshmëri dhe ndëshkim për zyrtarët përgjegjës.

Postimi i plotë:

Nëse Federica Mogherini u arrestua për 3.2 milionë euro, kolegët e saj në Shqipëri, zhdukën me magji 22 milionë euro për këtë aferë.

Kolegji i Europës nuk ju ka kushtuar miliona vetëm taksapaguesve të BE-së, por edhe atyre shqiptarë, më së shumti të rinjve.

Me një VKM të 13 marsit 2024, qeveria e Edi Ramës devijoi 17 milionë euro të destinuara për studentët shqiptarë, duke i përdorur ato për ndërtimin e Kolegjit të Europës.

Gjithashtu, ky vendim i qeverisë zhduku edhe rreth 5 milionë euro të përdorura nga Bashkia e Tiranës për hartimin e projektit të kampusit të Universitetit të Tiranës, “Ndërtim i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtim i Akademisë së Policisë”.

Mesa duket të korruptuarit e Tiranës janë integruar më së miri me aleatët e tyre të korruptuar europianë.

I mbetet popullit shqiptar, qytetarëve tanë të vjedhur e të grabitur në mënyrë të përditshme, të ngrihen në lartësinë e çdo qytetari të zakonshëm europian dhe të ndëshkojnë zyrtarët abuzues në Shqipëri, për aferën skandaloze të Kolegjit të Europës dhe jo vetëm!