Starmer: Putin nuk do marrëveshje paqeje, Londra do ushtrojë presion të fortë

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer deklaroi sot më 3 dhjetor 2025, se Vladimir Putin nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje paqeje për luftën në Ukrainë.

Ai foli pas pesë orësh bisedimesh mes Putinit dhe të dërguarve amerikanë në Moskë, që përfunduan pa asnjë përparim. Starmer tha se Britania do të vazhdojë presionin maksimal ndaj Rusisë, përmes sanksioneve.

Më herët, Putini akuzoi aleatët evropianë të Ukrainës se po sabotonin përpjekjet e SHBA-së për paqe. Kremlini hodhi poshtë propozimet evropiane dhe ukrainase për ndryshime në draftin e paqes. Presidenti rus deklaroi se Moska është gati për luftë me Evropën, nëse ajo e nis e para.

Qeveria britanike i cilësoi këto komente si propagandë. Në Parlament, Sir Bernard Jenkin kërkoi vlerësim për refuzimin e Putinit ndaj paqes. Starmer u përgjigj se Putin është agresori dhe po zvarrit bisedimet.

Downing Street tha se investimet në mbrojtje tregojnë qartë gatishmërinë e Britanisë. Zyrtarët britanikë përsëritën se NATO do të përgjigjet me unitet ndaj çdo kërcënimi. Ndërkohë, Kremlini njoftoi se bisedimet me emisarin e Trumpit ishin konstruktive, por pa rezultat konkret.