Igli Tare, një gjest i madh njerëzor, si iu bë krah familjes së Shpat Kasapit në ditët më të vështira

Familja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka treguar për “Sportmania” se personi që luajti rolin vendimtar në kthimin e trupit të artistit në Maqedoninë e Veriut ishte Igli Tare, drejtor sportiv i Milanit. Në një moment zie dhe pasigurie, Tare u bë mbështetja kryesore e familjes Kasapi, duke marrë përsipër të përshpejtonte të gjitha procedurat e ndërlikuara ligjore në Itali.

Shpati humbi jetën natën e mbërritjes së tij në Bergamo, ndërsa trupi u transferua më pas në një spital të Milanos për analiza dhe obduksion. Normalisht, procedurat zyrtare për kthimin e trupit jashtë Italisë zgjasin shumë, por falë ndërhyrjes së Tares, ato u finalizuan brenda vetëm katër ditësh. Kjo bëri të mundur që artisti të prehej në Tetovë të dielën e 30 nëntorit.

Albin Kasapi, vëllai i Shpatit, e përshkroi ndihmën e Tares si vendimtare në momentin më të rëndë për familjen:

“Po kalojmë ditë jashtëzakonisht të dhimbshme. Falënderojmë çdo njeri që na ka qëndruar pranë, por dua të veçoj publikisht Igli Taren. Ai bëri të pamundurën që trupi i Shpatit të kthehej në kohë rekord. Na është gjendur pranë më shumë sesa mund ta imagjinonim dhe kjo mbështetje ka qenë e paçmueshme.”

Shpat Kasapi ndërroi jetë më 25 nëntor, pas një arresti kardiak në Bergamo, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe fansat e tij. Në këto ditë zie, gjesti i Igli Tares u bë një shembull i vërtetë solidariteti dhe humanizmi.