Tamam si njeri! Humanoidi shpëton ‘macen’, kërcen…

Teksa tregon gishtërinjtë me shkëlqim dhe kthen trupin prej çeliku, Kaleido 9 përgatitet për një veprim të pabesueshëm.

Ai kap një mace lodër duke ia dhënë prezantueses dhe duke shfaqur kështu aftësitë shpëtuese të robotit humanoid gjatë një katastrofe.

Sipas kompanisë japoneze Kawasaki që kaloi një dekadë duke krijuar robotin i cili është ende në fazë testimi, Kaleido 9 mund të dërgohet në zonat e prekura nga katastrofat ku njerëzit e kanë të vështirë të shkojnë.

“Ne synojmë të krijojmë robotë rezistentë dhe të besueshëm për t’u dërguar në vende ku njerëzit nuk mund të punojnë ose duhet të punojnë përkrah robotëve. Vizioni ynë nuk është për robotë që kryejnë detyra të përsëritura në fabrika apo për të përmirësuar saktësinë, por për të punuar në vendin e caktuar, improvizuar dhe përdorur të njëjtat mjete si njerëzit”, tha Yoshimoto Matsuda në Ekspozitën Ndërkombëtare të Robotëve 2025.

Kaleido 9 bëri edhe disa punë shtëpie për spektatorët duke mbledhur disa gjethe plastike në një ‘kopsht’ në miniaturë që më pas i hodhi në koshin e mbeturinave. Këto aftësi janë krijuar për të ndihmuar pakësimin e krahut të punës në Japoni për shkak të plakjes së shoqërisë dhe lindshmërisë së ulët.

Në ekspozitë ishin edhe robotët kinezë Unitree të programuar nga kompania japoneze GMO që mund të kërcenin nën ritmet e këngëve të famshme dhe të shërbenin pije.

“Mendoj se kjo nuk është një sfidë vetëm për Japoninë, por për botën: rënia e forcës punëtore në vendet e zhvilluara. Ne përfytyrojmë një të ardhme ku robotët humanoidë mund të zëvendësojnë një pjesë të kësaj force. Për shembull, fabrikat po përballen me shkurtim të krahut të punës, humanoidët mund të ndihmojnë. E njëjta vlen për industrinë e kujdesit ndaj të moshuarve, që përballet me humbje të theksuar të stafit. Ne shpresojmë që të mundësojmë që humanoidët të mbushin këto boshllëqe”, tha CEO i GMO, Tomohiro Uchida.

Ekspozita Ndërkombëtare e Robotëve po mbahet në Big Sight në Tokio, në datat 3-6 dhjetor.