Belsh, gropë gjigante karstike pranë banesave: banorët në panik, toka vazhdon të zhytet
Një gropë karstike me diametër rreth 7 metra dhe thellësi mbi 10 metra është shfaqur prej disa ditësh shumë pranë banesave në lagjen e spitalit në qytetin e Belshit, duke shkaktuar frikë tek banorët.
Dumreja është një zonë e njohur për aktivitet të lartë karstik, e cila numëron mbi 84 liqene të krijuara pikërisht nga ky fenomen natyror. Sipas banorëve, gropa po zgjerohet me kalimin e ditëve dhe po i afrohet rrezikshëm ndërtimeve, ndërsa kërkohen masa urgjente nga autoritetet për të shmangur pasojat.
Në Dumre, terreni prej rreth 360 km² është i ndjeshëm ndaj shkrirjes së shkëmbinjve të gipsit dhe gëlqeres, çka e bën zonën të predispozuar për rrëshqitje dhe shembje të tokës të këtij lloji.
Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më herët: në qershor të këtij viti një gropë tjetër karstike u hap në fshatin Dëshiran, ndërsa në maj të vitit 2022 një fenomen i njëjtë u shfaq pranë banesave në fshatin Cestije.
Reshjet e shiut të ditëve të fundit e bëjnë situatën edhe më të pasigurt, duke shtuar shqetësimin e banorëve se toka mund të vijojë të zhytet.