Të përfituara nga krimi, në dy muaj konfiskohen 9 pasuri në zonat më të lakmuara të Lezhës
7 sipërfaqe toke dhe 2 apartamente që ndodhen në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe në Ishull Lezhë me një sipërfaqe totale 33 815 m², janë konfiskuar nga autoritetet ligjzbatuese.
Konfiskimi i tyre, vjen pasi ato ishin përvetësuar në rrugë kriminale, ku vetëm gjatë 2 muajve të fundit janë sekuestruar në qarkun Lezhë, 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 m².
‘Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, për gjurmimin e aseteve kriminale, si dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, të lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, konfiskuan 9 pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtari kriminale’, thuhet në njoftimin e Policisë Lezhë.