Vlorë, 1500 persona me aftësi të kufizuara mbeten të harruar: vetëm 2 të punësuar, akses minimal në hapësira publike

Në Vlorë, kjo ditë sjell edhe një herë në fokus sfidat e një komuniteti që prej vitesh mbetet përballë të njëjtave problematika.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, në qytet janë rreth 1500 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa vetëm dy prej tyre rezultojnë të punësuar. Një situatë që tregon mungesën e theksuar të politikave efektive për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

Aksesueshmëria në hapësirat publike mbetet një tjetër shqetësim. Përjashtuar disa rampa në bulevardin kryesor, pjesa më e madhe e qytetit nuk ofron kushte të përshtatshme për lëvizjen e personave në karrocë. Trotuaret, institucionet dhe rrugicat dytësore vijojnë të jenë të paarritshme.

Sa i përket mbështetjes financiare, ndihma mujore varion nga 7 500 deri në 13 000 lekë, shumë që sipas shoqatës nuk mbulon as nevojat bazë të kësaj kategorie. Edhe pagesat për kujdestarët konsiderohen të ulëta dhe larg realitetit të kostove të jetesës.

Kryetari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, Hysen Muhameti, thekson se komuniteti ka reaguar shpesh, ka kërkuar zgjidhje dhe ka organizuar protesta, por situata vazhdon të mbetet e pandryshuar.

Në këtë ditë ndërkombëtare, kërkesa kryesore e personave me aftësi të kufizuara në Vlorë mbetet: akses më të madh, mbështetje më të drejtë dhe politika konkrete që garantojnë një jetë dinjitoze dhe përfshirje të vërtetë në shoqëri.