Analiza e ‘Politico’: Skandali i Mogherinit do e zhysë BE-në në krizën më të madhe në dekada

Nga Zoya Sheftalovich, Nicholas Vinocur, Gerardo Fortuna dhe Max Griera, POLITICO

Ursula von der Leyen po përballet me sfidën më të madhe për llogaridhënien e BE-së në një gjeneratë ― me një hetim për mashtrim që ka përfshirë dy nga emrat më të mëdhenj në Bruksel dhe që kërcënon të shpërthejë në një krizë të plotë.

Ekzaktësisht një vit pas fillimit të mandatit të saj të dytë si presidente e Komisionit Evropian, von der Leyen, e cila tashmë është ballafaquar me pikëpyetje mbi angazhimin e saj për transparencë, dhe në mesin e tensioneve të fshehta me krahun e politikës së jashtme të bllokut, tani duhet të gjejë një mënyrë për të shmangur përfshirjen në një skandal që daton nga vitet e para të saj në detyrë.

Një njoftim i Prokurorisë Publike Evropiane se ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së dhe një diplomat i lartë, që aktualisht punon në Komisionin e Von der Leyen, u arrestuan të martën, u shfrytëzua nga kritikët e saj, me thirrje të përsëritura që ajo të përballet me një votë mosbesimi të katërt.

“Kredibiliteti i institucioneve tona është në lojë,” tha Manon Aubry, bashkëkryetare e Partisë së Majtë në Parlamentin Evropian.

Nëse akuzat provohen, ato do të shkaktonin skandalin më të madh që ka përfshirë Brukselin që nga dorëheqja masive e Komisionit Jacques Santer në vitin 1999 për shkak të akuzave për keqmenaxhim financiar.

Policia arrestoi ish-nënkryetaren e Komisionit, Federica Mogherini, një politikane italiane e qendrës së majtë, që udhëhoqi krahun e politikës së jashtme të BE-së, Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), nga vitet 2014-2019, dhe Stefano Sannino, një funksionar civil italian që ishte Sekretar i Përgjithshëm i EEAS nga 2021 deri kur u zëvendësua më herët këtë vit.

Prokuroria Publike Evropiane tha se kishte “dyshime të forta” se një proces tenderimi në 2021-2022 për të krijuar një akademi diplomatike të lidhur me Kolegjin e Evropës, ku Mogherini është rektore, nuk kishte qenë i drejtë dhe se faktet, nëse provohen, “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”.

Saga duket se do të acarojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Von der Leyen dhe shefes aktuale të EEAS, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, thanë katër zyrtarë të BE-së për POLITICO. Më parë këtë vit, Sannino la detyrën e tij si Sekretar i Përgjithshëm dhe mori një rol të rëndësishëm në Komisionin e Von der Leyen.

Një zyrtar i BE-së mbrojti Von der Leyen, duke fajësuar në vend të saj EEAS, një shërbim autonom nën traktatet e BE-së që operon nën përfaqësuesen e lartë të bllokut, Kallas — e cila është një nga 27 komisionerët evropianë.

“E di që njerëzit, të cilët nuk e pëlqejnë von der Leyen, do ta përdorin këtë kundër saj, por ata përdorin gjithçka kundër saj,” tha zyrtari.

“Sepse presidentja Von der Leyen është udhëheqësja më e njohur në Bruksel, ne ia hedhim gjithçka në derën e saj,” shtoi zyrtari. “Dhe nuk është e drejtë që ajo të përballet me një mocion për diçka që mund ta ketë bërë Shërbimi i Jashtëm. Ajo nuk është përgjegjëse për të gjitha institucionet”.

Mogherini, Sannino dhe një person i tretë nuk janë akuzuar dhe ndalimi i tyre nuk nënkupton faj. Një gjykatës hetues ka 48 orë nga fillimi i marrjes në pyetje për të vendosur mbi veprimet e mëtejshme.

Kur u kontaktua për Sannino-n, Komisioni refuzoi të komentojë. Kur u kontaktua për Mogherini-n, Kolegji i Evropës refuzoi të përgjigjej në pyetje specifike. Në një deklaratë tha se mbetej “i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit, drejtësisë dhe përputhshmërisë — si në çështjet akademike, ashtu edhe në ato administrative”.

“Serial kriminal”

Hetimi vjen ndërsa partitë euroskeptike, populiste dhe të ekstremit të djathtë po përfitojnë nga pakënaqësia e votuesve, dhe në një kohë kur BE po ushtron presion ndaj vendeve brenda dhe jashtë bllokut për skandalet e tyre të korrupsionit.

“Është qesharake se si Brukseli u jep mësime të gjithëve për ‘sundimin e ligjit’, ndërkohë që institucionet e tij duken më shumë si një serial kriminal sesa si një union funksional,” tha Zoltan Kovacs, zëdhënës i qeverisë hungareze, e cila ka qenë objekt kritikash nga BE.

Deputeti rumun, Gheorghe Piperea, anëtar i grupit të konservatorëve dhe reformistëve evropianë, i cili inicioi një votë mosbesimi të dështuar ndaj Von der Leyen në korrik, i tha POLITICO se po konsideronte të provonte të niste një mocion të ri.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, u tha medieve shtetërore se zyrtarët e BE “preferojnë të injorojnë problemet e tyre, ndërkohë që vazhdimisht japin mësime të tjerëve”.

BE ka pasur vështirësi për të shkundur një seri skandalesh korrupsioni që nga fillimi i këtij dekade. Bastisjet e së martës vijnë pas skandalit të vitit 2022 “Katar-gate”, kur shteti i Gjirit u akuzua për përpjekje për të ndikuar deputetët evropianë përmes ryshfeteve dhe dhuratave, si dhe hetimit të këtij viti mbi ryshfetin ndaj gjigantit teknologjik kinez, Huawei, për aktivitetet e tij lobuese në Evropë.

Këto hetime përfshinë anëtarë të Parlamentit Evropian, dhe në atë kohë zyrtarët e Komisionit nxituan për të treguar me gisht drejt ligjvënësve dhe për t’u distancuar nga skandalet.

Por Komisioni nuk ka qenë imun ndaj akuzave për keqpërdorim. Në vitin 2012, ish-komisioneri për Shëndetësinë, John Dalli, dha dorëheqjen për shkak të një skandali lobimi të industrisë së duhanit. Vetë Von der Leyen u përball me një kritike nga Gjykata e Përgjithshme e BE-së, e cila vendosi më herët këtë vit se ajo nuk duhej t’i kishte mbajtur për vete mesazhet që shkëmbeu me CEO-n e Pfizer gjatë pandemisë Covid-19.

Zbulimet e së martës janë shumë më të rrezikshme për Komisionin, duke marrë parasysh profilin e lartë të të dyshuarve dhe rëndësinë e akuzave më të cilat po përballen ata.

“Ndikim katastrofik”

Pas shërbimit si nënkryetare e Komisionit Evropian dhe udhëheqëse e EEAS, Mogherini u emërua rektore e Kolegjiit të Evropës në vitin 2020, mes kritikave se nuk ishte e kualifikuar për këtë post, nuk përmbushte kriteret dhe kishte hyrë në garë disa muaj pas afatit. Në vitin 2022, ajo u bë drejtoreshë e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian, projekti në qendër të bastisjeve të së martës.

Sannino, një ish-diplomat italian, ishte funksionari më i lartë civil i EEAS dhe tani është drejtor i përgjithshëm për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe departamentin e Gjirit në Komision.

Cristiano Sebastiani, përfaqësuesi i stafit të një prej sindikatave kryesore të BE-së, Renouveau & Démocratie, tha se nëse akuzat provohen, ato do të kishin “një ndikim katastrofik mbi kredibilitetin e institucioneve të përfshira, dhe më gjerë mbi perceptimin e qytetarëve për të gjitha institucionet evropiane”. Ai shtoi se kishte marrë “dhjetëra mesazhe” nga stafi i BE-së, i shqetësuar për dëmtimin e reputacionit.

“Kjo nuk është mirë për institucionet e BE-së dhe për shërbimet e Komisionit. Nuk është mirë për Evropën, sepse tërheq vëmendjen nga gjëra të tjera,” tha një zyrtar i Komisionit, i cili kërkoi të mbetej anonim. “Kjo transmeton idenë e elitizmit, të një rrjeti informal që bën favore. Gjithashtu, Mogherini ishte një nga përfaqësueset e larta më të suksesshme [të BE-së], dhe kjo nuk është e mirë për diplomacinë publike”.