Avokati i Popullit, PD mblidhet për të diskutuar kandidatët! Berisha: Mbështesim vetëm kandidatët tanë
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur për të diskutuar zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Mbledhja, e cila do të zhvillohet me dyer të mbyllura, vjen pasi mazhoranca socialiste refuzoi formulën e propozuar nga opozita për një proces konsensual.
Gazetarja Marsi Korreshi raporton për Syri TV se grupi parlamentar i Partisë Demokratike mblidhet sot për të diskutuar një nga çështjet më të nxehta në arenën politike: zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Mbledhja zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca socialiste refuzoi formulën e propozuar nga opozita për një proces konsensual.
Partia Demokratike ka sugjeruar një listë me gjashtë emra, ndërsa lideri i opozitës, Sali Berisha, ka bërë të qartë se PD do të mbështesë vetëm kandidatët e saj, duke përfshirë Besim Ndregjonaj si një prej preferencave kryesore. Ndërkohë, në qarqet politike dhe mediatike përflitet se mazhoranca mund të mbështesë një kandidat tjetër, të cilin opozita e ka refuzuar. Votimi final për kreun e Avokatit të Popullit është planifikuar për datën 11 dhjetor, së bashku me votimin nen për nen të buxhetit të shtetit për vitin 2026, i cilësuar nga opozita si një buxhet klientelist.
'Në orën 13:00, pas konferencës që lideri i opozitës, Sali Berisha, zhvilloi me gazetarët në selinë blu, pritet të mbahet edhe mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të diskutuar lidhur me seancën plenare të nesërme në Kuvend, atë të së enjtes. Në fokus të bisedimeve të mbledhjes së grupit do të jetë pikërisht avokati i popullit. Kujtojmë se më herët Partia Demokratike kishte propozuar edhe formulën përmes së cilës kërkoi që të zgjidhej avokati i popullit, duke propozuar gjashtë emra, nga të cilët tre mund të zgjidhnin socialistët, dhe një prej tre të përzgjedhurve të kalonte në seancë për votim.
Megjithëse duket se kjo formulë nuk ka gjetur mbështetjen e mazhorancës socialiste dhe është refuzuar për t’u zbatuar, në këtë mbledhje të ditës së sotme do të diskutohet lidhur me emrat potencialë që do të mbështesë Partia Demokratike për avokatin e popullit. Të paktën ashtu është artikuluar tashmë publikisht nga lideri i opozitës, Sali Berisha, edhe në konferencën e ditës së sotme. Në të gjitha daljet e tij mediatike, kur është pyetur lidhur me kandidaturën e avokatit të popullit, Berisha ka theksuar se opozita, Partia Demokratike, do të mbështesë emrat e saj, me theks të veçantë tek emri i Besim Ndregjonajt.
Ndërkohë, artikulohet edhe në media për një mbështetje të mundshme që mazhoranca dhe Partia Socialiste mund t’i japë kandidaturës së Endri Shabanit, një prej kandidatëve në listën për avokatin e popullit. I pyetur për këtë çështje, Berisha e bëri të qartë se Partia Demokratike do të mbështesë vetëm emrat e saj të propozuar dhe nuk do të japë mbështetje për kandidaturën e Shabanit. Vendimmarrja për avokatin e popullit do të bëhet në votimin e seancës të 11 dhjetorit.
Është parashikuar që pikërisht në seancën e 11 dhjetorit të votohet kandidati i mundshëm për avokatin e popullit. Në të njëjtën seancë do të bëhet edhe votimi nen për nen i buxhetit të ri të vitit 2026 të qeverisë, i cili shpesh është akuzuar nga opozita, Partia Demokratike dhe jo vetëm, si një buxhet që nuk pasqyron kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, por që favorizon klientët e pushtetit dhe pasuron qeverinë.
Në fokus do të jetë pra avokati i popullit dhe emrat e propozuar nga Partia Demokratike, të cilët do të diskutohen në mbledhjen me dyer të mbyllura. Ky grup parlamentar do të vendosë për emrat që do të mbështesë në seancën plenare të 11 dhjetorit.
Gjithashtu, në fokus do të jetë edhe seanca plenare e nesërme. Në këtë javë kemi pasur dy seanca: seancën e djeshme, që i takonte javës së gjelbër, dhe seancën e paracaktuar për të enjten, ku do të diskutohet mbi projektligjet që pritet të votohen nesër.'- shprehet gazetarja