Dogjani: Shqipëria nuk është demokraci por diktaturë, shteti përdoret për vjedhje masive të votës

Shqipëria po përballet me një sfidë të jashtëzakonshme të mosbesimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor dhe funksionimi i shtetit. Deputeti i PD, Asllan Dogjani nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se vendi nuk po funksionon si demokraci, por si një diktaturë ku shteti është kapur dhe përdoret masivisht për vjedhjen e votës.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur gjatë 12 viteve të fundit nuk mund të konsiderohet thjesht si shkelje zgjedhore, por si një “industri” dhe një “mekanizëm i tmerrshëm” i mirëorganizuar.

Dogjani përshkruan një sistem ku vota blihet hapur, grupet kriminale ushtrojnë presion, administrata publike përdoret politikisht dhe qytetarët survejohen përmes strukturave si ato të patronazhistëve, duke e krahasuar situatën me periudhën e diktaturës.

Deputeti u shpreh se e sheh Partinë Demokratike si “të vetmen shpresë” që ka mbetur në vend. Sipas Dogjanit, pushteti aktual ka punuar për 12-13 vite për të shkatërruar opozitën në çdo mënyrë të mundshme, por pavarësisht kësaj, ajo mbetet ende në këmbë si shpresa e vetme për qytetarët.

Për të përballuar këtë “regjim”, analisti thekson nevojën urgjente për riorganizimin e Partisë Demokratike.  Zgjidhja qëndron në rikthimin në bazë, në dialogun e drejtpërdrejtë me çdo qytetar për t’i rikthyer shpresën e humbur vendit, veçanërisht rinisë që po largohet masivisht.

Deklarata për 'Kafe Shqeto':

"Shqipëria sot ndodhet përballë një sfide të jashtëzakonshme, siç është sfida e mosbesimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor, por edhe tek funksionimi i shtetit. Sepse ne të gjithë jemi dëshmitarë që çfarë ka ndodhur jo vetëm në këto palë zgjedhje, por të paktën në këto 12 vite, nuk bëhet fjalë për shkelje të thjeshta zgjedhore. Këtu bëhet fjalë për një industri, për një mekanizëm të kapjes së shtetit dhe të përdorimit masiv të shtetit në funksion të vjedhjes së votës.

Pikërisht te domosdoshmëria e këtij takimi, pra, po e bëj një farë hyrje. Sepse çfarë ndodh? Në vendin tonë përdoret një mekanizëm i tmerrshëm, vota blihet, grupet kriminale, presioni ndaj administratës, patronazhistët duke survejuar çdo njeri ku hyn, ku del, tamam si në kohën e diktaturës. Gjë që e bën të domosdoshme takimin që bëri dje Partia Demokratike, se e vetmja shpresë në këtë vend, ka ngelur që ka bazë reale, strukturore, mbështetje reale, që po denancon përditë skandalet, vjedhjet, grabitjet, të kësaj qeverie është Partia Demokratike.

Dhe pikërisht, Partia Demokratike, pavarësisht situatës ku është, pavarësisht se unë plotësisht jam dakord me shumë kritikë që thonë që 12 vjet e të tjera e të tjera. Por çfarë mund të bëjë Partia Demokratike ose opozita, çfarë mund të bënte 13 vjet në zgjedhjet që shkojmë? Bëhet fjalë për, ne bëjmë fjalë për zgjedhje në një vend demokratik, por ne nuk jemi në një vend demokratik. Ne jemi në një diktaturë. Amo si do ta zgjidhim? Do të përballemi me të njëjtën monedhë siç përdor Edi Rama? Të marrim edhe ne grupet kriminale, të marrim edhe ne. Nuk kemi mundësi. Ne flasim për një demokraci dhe e vetmja shpresë sot është Partia Demokratike, por Partia Demokratike duhet të organizohet.

Ka problemet e veta. Pra, në njërën anë kemi një pushtet, një diktaturë që përdor gjithçka dhe që 12 vjet, 13 vjet ka punuar për të shkatërruar në mënyrën më të keqe të mundshme Partinë Demokratike. Ka bërë gjithçka për ta shkatërruar Partinë Demokratike.

Megjithëse ka bërë gjithçka, sot përsëri është e vetmja shpresë që njerëzit duhet të organizohen, Partia Demokratike duhet të organizohet dhe të bëjë gjithçka për t'u përballur me këtë regjim. Dhe në qoftë se sot ka ngelur një standart i vogël tek tuk, është rezultat i opozitës, i Partisë Demokratike që po denoncon çdo ditë, përditë skandalet e kësaj qeverie, vjedhjet.

Tani, ndalemi tek Partia Demokratike. Unë jam vetë kritik. Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike? Partia Demokratike, sepse rinia ka ikur jo se ka ikur nga Partia Demokratike, po se s'ka shpresë në këtë vend. Dhe ne duhet t'ia kthejmë shpresën rinisë, qytetarëve shqiptarë.

Në radhë të parë duhet të organizohemi vetë. Që do të thotë, duhet patjetër në mënyrën më të shpejtë të mundshme të bëhen analiza siç kanë filluar, dhe të kthehemi tek qytetari. Të shikojmë atje në bazë dhe të bisedojmë me gjithsecilin qytetar, me gjithë Partia Demokratike, gjithë struktura, atje".