Danilo Gallinari njofton tërheqjen në moshën 37-vjeçare: Një udhëtim i pabesueshëm...

Danilo Gallinari ka njoftuar përfundimin e karrierës së tij të gjatë e plot emocione, duke i dhënë fund një udhëtimi mbi dy dekada të gjatë mes Italisë, NBA-së dhe Europës. Lajmin e bëri vetë “Gallo”, i cili publikoi në rrjetet sociale një video të ngarkuar me momente të veçanta dhe kujtime të paharrueshme.

“Sot, me zemrën plot mirënjohje, njoftoj tërheqjen time nga një karrierë që e kam ëndërruar gjithmonë. Një karrierë e ndërtuar me punë të palodhur, sakrifica, fitore, humbje, shokë skuadre që u bënë vëllezër, udhëheqjen e trajnerëve të mi dhe, sigurisht, familjen e miqtë që më kanë shoqëruar në çdo hap. Ka qenë një udhëtim i pabesueshëm, plot me kujtime të panumërta që do t’i mbaj me vete gjithë jetën. Faleminderit nga zemra të gjithëve që besuan tek unë, që më mbështetën dhe ndanë çdo moment me mua. Jam më i emocionuar se kurrë për kapitullin e ardhshëm!”, – shkruan ai në mesazhin e publikur.

Gallinari luajti ndeshjen e fundit zyrtare me fanellën e Italisë në Eurobasket, në muajin shtator. Verën e kaluar ai fitoi kampionatin në Portoriko me Vaqueros de Bayamón, ku u shpall edhe kampion dhe MVP i finaleve.

I lindur në vitin 1988 në Sant’Angelo Lodigiano, Gallinari, djalë i ish-basketbollistit Vittorio Gallinari, figurë e njohur e epokës së Dan Peterson te Milano, u bë i dallueshëm shumë i ri me Olimpia Milanon, ku fitoi çmimin e MVP-së së Serie A dhe trofeun e “Lojtarit më të Mirë të Ri Europian” në vitin 2008.

Po atë vit erdhi edhe thirrja në NBA: i zgjedhur nga New York Knicks, ai nisi një aventurë amerikane që e çoi të vishte fanellat e Nuggets, Clippers, Thunder, Hawks, Spurs dhe së fundmi Milwaukee Bucks. Në NBA, Gallinari shënoi mbi 11.600 pikë në 777 ndeshje, me një mesatare prej 14.9 pikësh për ndeshje, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në basketbollin europian dhe atë amerikan.

Karriera e tij mbyllet me klas, mirënjohje dhe trashëgimi të padiskutueshme,  një udhëtim i gjatë që e vendos Danilo Gallinarin mes figurave më të rëndësishme të basketbollit italian.