Lirohen Federica Mogherini dhe 2 bashkëpunëtorët e saj, Prokuroria e BE: Akuzat mbeten në fuqi

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, njëkohësisht Drejtuese e Kolegjit të Europës, është liruar por do të vijojë të hetohet lidhur me mashtrim në tenderë publikë, korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të pandershme.

Federica Mogherini u ndalua dje (2 dhjetor) në Belgjikë, në kuadër të hetimit për një tender të lidhur me realizimin e një kursi pasuniversitar për diplomatë të rinj, financuar nga BE në Kolegjin Evropian të Bruges, ku ish–përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme ishte rektore.

Pas marrjes në pyetje nga policia federale e Flandrës Perëndimore, gjatë natës janë liruar Federica Mogherini, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, të përfshirë në skandalin e dyshuar mbi fondet për diplomatët e rinj evropianë.

Lajmi konfirmohet nga Prokuroria e BE-së, e cila drejton hetimet.

Akuzat lidhen me mashtrim në tendera publikë, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, por të tre janë lënë të lirë pasi “nuk konsiderohen rrezik arratisjeje”, shkruan Agjencia e lajmeve ANSA.

Bashkë me Mogherinin u ndaluan ambasadori Stefano Sannino, ish-sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (SEAE). Të tre do hetohen në gjëndje të lirë.

Mediat belge, duke iu referuar burimeve të besueshme pranë organit të akuzës, thonë se të ndaluarit janë nën hetim për blerjen e godinës Spanjaardstraat në Bryzhë, në vlerën e 3.2 milionë eurove.  Kjo godinë shërben si rezidencë për diplomatët që marrin pjesë në akademinë e Kolegjit të Europës. Nga të dhënat e deritanishme të hetimeve rezulton se ka pasur rrjedhje informacioni rreth tenderimit të kësaj godine, me qëllimin përfitimin e paligjshëm nga ana e të ndaluarve. 

“Ka dyshime serioze se gjatë procedurës së tenderimit, është shkelur Neni 169 i Rregullores Financiare të BE-së, që parashikon garën e ndershme. Kjo garë dyshohet se nuk ka qenë e ndershme, pasi njërit prej kandidatëve pjesëmarrës në tender i është dhënë informacion konfidencial” – u tha dje në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga zyra e prokurorit.