Flick: Fituam kundër një ekipi të madh, paraqitja më e mirë e sezonit nga Barça

Hansi Flick festoi me plot meritë fitoren e madhe ndaj Atlético Madridit, një sfidë ku Barcelona tregoi versionin e saj më bindës të këtij sezoni. Pas ndeshjes së zbehtë ndaj Alavés, ku trajneri gjerman u pa i pakënaqur pavarësisht rezultatit, këtë herë loja e ekipit i dha arsye të forta për optimizëm.

“Bëmë një paraqitje të shkëlqyer kundër një ekipi të madh. Luftuam së bashku, ishte fantastike. Do të shohim nëse kjo ndeshje do të jetë pikë kthese. Ka qenë një nga ndeshjet më të mira të sezonit dhe e merituam fitoren”, – deklaroi Flick pas përfundimit të takimit.

Rikthimi i Raphinhas ishte një nga ngjarjet më pozitive të mbrëmjes. Braziliani shkëlqeu në “Spotify Camp Nou”, duke sjellë intensitet dhe ide në fazën ofensive. “Është shumë i rëndësishëm për ne. Kur ai është në fushë, rritet ritmi i lojës dhe kjo reflektohet te i gjithë ekipi. Lëvizjet dhe dinamika e skuadrës ishin të jashtëzakonshme”, – theksoi Flick.

Kjo ishte fitorja e parë e sezonit ndaj një rivali të madh, pas humbjeve ndaj Real Madridit, Chelseat dhe PSG-së. Trajneri u shpreh i kënaqur me nivelin e lojës dhe qasjen e skuadrës: “Kjo ishte ndeshja që donim. E dominuam kundërshtarin, niveli ishte shumë i mirë dhe shihet qartë se ka përmirësim. Humbjet i kemi lënë pas; sot pamë një paraqitje të madhe dhe duhet të vazhdojmë në këtë linjë”.

Flick komentoi me entuziazëm edhe rikthimin e Pedrit në formacion: “Pedri është spektakolar. Jam shumë i lumtur që u riktheu me këtë nivel. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne”. Mesfushori doli nga fusha i lodhur dhe me shqetësime, por trajneri qetësoi tifozët: “Pedri është mirë, vetëm pak i lodhur”.

Ndërkohë, situata është më delikate për Dani Olmon, i cili pësoi një problem në shpatull: “Dani ka një shqetësim dhe do të shohim gjendjen e tij”, – përfundoi Flick.