VIDEO/ Balliu: Kur është verë digjemi, kur bie shi përmbytemi, sa duhet të jetë temperatura që të funksionojë qeveria?
Deputeti i opozitës, Klevis Balliu, gjatë fjalës së tij në seancën plenare, ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën se si po menaxhon përmbytjet në vend dhe ka kërkuar që ministrat të jenë të pranishëm në sallë për t’u përgjigjur për situatën e javës së fundit.
Balliu u shpreh se, pas një jave të mbushur me përmbytje, është e papranueshme që ministri i Mbrojtjes nuk ndodhet në seancë, duke theksuar se qytetarët presin përgjigje dhe zgjidhje.
“Kur është verë marrim flakë, kur bien dy pika shi përmbytemi. Duhet të dimë se sa duhet të jetë temperatura që të funksionojë qeveria,” deklaroi ai.
Ai kritikoi kufizimin e seancës në vetëm katër orë, duke e cilësuar të padrejtë ndarjen e kësaj kohe për 140 deputetë, sidomos kur diskutohet për problemet e qytetarëve.
“Ne për PPP-të flasim nga 20 minuta. Për koncesionet flitet 20 minuta. Një herë që kemi për të folur për hallet e qytetarëve, u lemë 140 deputetëve katër orë,” tha Balliu, duke shtuar se deputetët e mazhorancës “ndoshta takojnë njerëz pa halle”, ndërsa qytetarët e tjerë po përballen me përmbytje, probleme në bujqësi, ekonomi dhe siguri.
Deputeti theksoi se seanca duhet të zgjasë më shumë dhe që ministrat të jenë të pranishëm:
“Kemi kaluar një javë ku shqiptarët po humbasin shtëpitë se po bie shi. Po na shkulen rrugët. Jemi i vetmi vend në botë që na prishen rrugët se bie shiu.”
Ai shtoi se Kuvendi ka përgjegjësinë të trajtojë shqetësimet reale të qytetarëve dhe se rregullorja mund të përshtatet kur bëhet fjalë për situata emergjente.
“Nëse ky parlament nuk merret me problemet e qytetarëve, më mirë t’i mbyllim dyert dhe mos të vijmë fare,” përfundoi Balliu.
Balliu:
Meqënëse është dhe diskutimi në rend dite sot për problemet e qytetarëve dhe duke marrë parasysh që kemi kaluar një javë të mbushur plot me përmbytje, do të ishte mirë që dhe ministri i mbrojtjes ta thërrisnit dhe të ishte këtu, se kolegët që do të diskutojnë, do të duhet që dhe ministrat t'i japin përgjigje sepse është bëhet disa herë, kur është verë marrim flakë, kur bien dy pika shi përmbytemi, përmbytet i gjithë vendi dhe ta dimë se sa duhet të jetë temperatura që të funksionojë qeveria.
Dhe në bashkim edhe të kolegëve, zotit Leskaj dhe zotit Luan, ato minutat, në qoftë se ka një dakordësi edhe me kolegët, mund të shtohen. Nuk ka nevojë as të mblidhet kryesia apo të bëhet ndonjë gjë tjetër, se ne këtu për ato PPP-të flasim nga 20 minuta. Për ato koncesionet flitet për nja 20 minuta. Një herë që e kemi për të folur për hallet e qytetarëve, u lemë 140 deputetëve katër orë. Tani ne takojmë ca qytetarë që kanë halle. Ju mbase takoni ato që i kanë pa halle.
Por këta tanët kanë nevojë dhe kanë shumë probleme, se janë përmbytjet, është bujqësia, është krimi, janë një sërë gjërash, është ekonomia. Tani katër orë t'i ndajnë 140 deputetë, nuk më duket serioze. E në fund të ditës, ky parlament, në qoftë se nuk merret me problemet dhe shqetësimet e këtyre qytetarëve, më mirë t'i mbyllim dyert e parlamentit dhe mos të vijmë fare këtu, se për të dëgjuar njëri-tjetrin kot, nuk mendoj që ka ndonjë interes ndonjë qytetar.
Prandaj, në qoftë se ju keni qoftë edhe një mundësi, mos bëjmë që këtu nuk lëvizet rregullorja, se këtu shkelet ligji dhe nuk pyet njeri. Ne jemi shtet që kemi ndenjur pa gjykatë kushtetuese katër vjet dhe nuk bëhet problem në qoftë se ka ndonjë ndryshim rregullorja sot për t'i dhënë ca minuta më shum qytetarëve, që të dëgjojnë për hallet dhe problemet që kemi marrë. Aq më tepër që kemi kaluar një javë, ku të gjithë shqiptarët po humbin shtëpiat se po bie shi.
Jo vetëm kaq, po po na shkulen të gjitha rrugët. Po na bien të gjitha rrugët se po bie shi. Jemi i vetmi vend në botë që na prishen rrugët se bie shiu. Tani, atë zonjën e kemi të pezulluar, po dikush do na japë llogari për këto rrugët? Prandaj t'i japim pak më shumë kohë, të vijnë dhe ministrat dhe ta diskutojmë, edhe kolegët e mazhorancës, kam idenë kanë dalë ato takimet e tyre me zgjedhësit. Ka ndonjë hall te zgjedhësit e këtyre apo a keni zgjidhur të gjitha? Që ta dimë. Faleminderit.