Tronditësë në Franë, dy futbollistë të Ligue 1 rrihen nga tifozët e tyre, nuk duan të luajnë më për klubin aktual

Historia është tronditëse. Pas humbjes së fundjavës së kaluar në fushën e Lorient-it (1-3), tifozët e Nicës shpërthyen në zemërim të madh. Në mes të këtij reagimi të dhunshëm, shënjestra kryesore u bënë dy lojtarët: Terem Moffi dhe Jérémie Boga.

Të dy futbollistët u ofenduan rëndë, u pështynë, dhe madje u goditën fizikisht në pjesë të ndryshme të trupit nga disa tifozë të klubit. Situata ishte aq e rëndë, saqë OGC Nice u detyrua t’u jepte të dyve certifikim mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë, një dokument që jepet vetëm në raste të dhunës fizike që dëmton aftësinë e personit për të vazhduar aktivitetin profesional.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Pas ndeshjes së humbur në Lorient, disa tifozë ekstremistë pritën autobusët e lojtarëve.  Teksa Moffi dhe Boga po lëviznin drejt zonës së parkimit, ata u konfrontuan drejtpërdrejt. Tifozët filluan me sharje dhe ofendime, por situata degjeneroi kur disa prej tyre i pështynë dhe i goditën me duar. Lojtarët u përpoqën të largoheshin, por agresionet vazhduan deri sa ndërhynë anëtarë të stafit të sigurisë. Më pas, të dy lojtarëve iu bë kontroll mjekësor, i cili vërtetoi dëmtime të lehta fizike, dhe klubi detyrimisht u dha certifikatën e paaftësisë pë punë, duke i lejuar të marrin pushim të detyruar për rikuperim.

Sipas gazetës Nice-Matin, si Terem Moffi, ashtu edhe Jérémie Boga, i kanë bërë të qartë klubit se nuk dëshirojnë të luajnë më për OGC Nice pas traumës së përjetuar. Moffi është në sezonin e tij të katërt me klubin ndërsa Boga është në sezonin e tij të tretë. Të dy kanë kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në Francë, me shumë reagime kundër dhunës së tifozëve dhe me frikën se Nice mund të humbasë dy prej lojtarëve më të rëndësishëm shkaku i këtij incidenti të rëndë.