Blegtoria në Shqipëri drejt falimentimit: Fermerët përballen me subvencione të ulëta dhe mungesë tregu
Blegtoria shqiptare po përballet me një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit. Adem Zaçellari, fermer nga fshati Pirg i Maliqit, i cili prej 40 vitesh merret me blegtori, thotë se situata është bërë pothuajse e paqëndrueshme. Sipas tij, subvencionet që ofron shteti janë shumë të ulëta dhe nuk mbulojnë as shpenzimet minimale për ushqimin dhe mirëmbajtjen e bagëtive.
“Subvencioni prej 1200 lekësh është shumë i vogël dhe nuk mjafton,” thotë Zaçellari, duke theksuar se kostoja e prodhimit është rritur ndjeshëm, ndërsa të ardhurat po bien".
Edhe çmimi i qumështit ka pësuar luhatje të mëdha, duke zbritur sërish në 110 lekë për kilogram — një nivel që sipas fermerëve nuk mbulon as shpenzimet bazë. Ndërkohë, edhe për mishin mungon tregu, duke e thelluar edhe më shumë krizën.
Mungesa e kullotave dhe shtrenjtimi i ushqimit po i dëmton fermerët
Një tjetër sfidë madhore është mungesa e kullotave dhe rritja e çmimeve të ushqimit për bagëtitë. Adem Zaçellari ka marrë me qira pesë hektarë tokë, por thotë se kjo sipërfaqe është e pamjaftueshme për të garantuar ushqimin e nevojshëm për tufën. Për pasojë, shpenzimet rriten ndjeshëm dhe përfitimi shkon drejt zeros.
Sipas tij, shumë të rinj po braktisin zonat rurale, ndërsa tufat janë përgjysmuar në shumë ferma për shkak të pamundësisë për t’i mbajtur.
“Fitimi është zero”. “Punojmë si familje, por është shumë e vështirë. Fitimi është zero. Shteti duhet të ofrojë më shumë mbështetje për fermerët,” shprehet Zaçellari, duke theksuar pasigurinë dhe mungesën e perspektivës që po mbizotëron në sektorin e blegtorisë.
Fermerët kërkojnë rritje të subvencioneve, stabilizim të çmimit të qumështit dhe masa konkrete për uljen e kostove të prodhimit, në mënyrë që blegtoria — një sektor i rëndësishëm për ekonominë rurale të mos shkojë drejt kolapsit.