Bastisja e zyrës së Mogherinit dhe dritëhijet e Kolegjit të Evropës në Tiranë, si u 'grabit' godina e QS
Skandali që ka përfshirë selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), hedh hije dyshime edhe mbi veprimtarinë e Kolegjit të Evropës në Tiranë, teksa ky i fundit ka hapur filialin në kryeqytetin shqiptar më 23 tetor 2024.
Ishte vetë kryeministri Edi Rama që më 23 tetor 2024 çeli zyrtarisht vitin e ri akademik 2025 -2026, i cili shënon njëkohësisht vitin e dytë të prezencës së Kolegjit të Tiranës, me pjesëmarrjen edhe të rektores së Kolegjit të Europës në Tiranë, Federica Mogherini, ish shefe e Politikës së Jashtme të BE-së.
Dyshuese është fakti, se Bashkia e Tiranës me vendim të Këshillit Bashkiak i ka dhënë Kolegjit të Evropës një godinë të Qytetit Studenti për qëllime të Kolegjit, duke i spostuar studentët shqiptarë në një godinë tjetër, duke limituar vendet gjithashtu për akomodim, siç tregohet në projektvendimin e Këshillit Bashkiak.
Vetë kryeministri Rama u kujdes që në Tiranë të çelej filiali i Kolegjit të Evropës, q drejtohej nga mikesha e tij Federica Mogherini, duke angazhuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit të çelte garën për ndërtimin e godinës, duke ia dhënë kompanisë Fusha shpk dhe Ed Konstruksion.
Shifra marramendëse që Rama vendosi në dispozicion për ndërtesën e re të Kolegjit Evropian, kapte shifrën e gati 17 milionë eurove, siç shihet dhe nga kontrata e siguruar nga Syri.
Me kërkesë të EPPO-së, të miratuar nga gjyqtari hetues, Policia Federale (FGP West-Vlaanderen) kreu kontrolle në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel dhe në shtëpitë e të dyshuarve. Masat hetimore mbështeteshin gjithashtu në mbështetjen e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Në diskutim është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian – një program trajnimi nëntëmujor për diplomatë të rinj në të gjitha shtetet anëtare – i cili iu dha Kolegjit të Evropës në Belgjikë nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, në periudhën 2021 – 2022, pas një procedure tenderimi.
Hetimi përqendrohet nëse Kolegji i Evropës dhe/ose përfaqësuesit e tyre ishin informuar paraprakisht rreth kritereve të përzgjedhjes së procedurës së tenderit dhe kishin arsye të mjaftueshme për të besuar se atyre do t'u jepej zbatimi i projektit, përpara publikimit zyrtar nga EEAS të njoftimit të tenderit.
Ekzistojnë dyshime të forta se, gjatë procesit të tenderimit për programin, është shkelur neni 169 i Rregullores Financiare që lidhet me konkurrencën e ndershme dhe se informacioni konfidencial në lidhje me prokurimin në vazhdim është ndarë me njërin prej kandidatëve pjesëmarrës në tender.
Përpara kontrolleve, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit të disa të dyshuarve, gjë që u miratua.
Faktet nën hetim iu raportuan fillimisht OLAF-it. Ato mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi është duke vazhduar për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse kanë ndodhur ndonjë vepër penale.
Hetimi mbështetet gjithashtu nga gjyqtari hetues i Belgjikës në Flanders Perëndimore (distrikti i Ypres).