Bregu i liqenit të Shkodrës i mbuluar nga mbetjet/ Qytetarët akuza ndaj bashkisë për neglizhencë
Bregu i liqenit të Shkodrës vijon të përballet me një situatë alarmante mjedisore. Përgjatë vijës ujore janë shpërndarë shishe plastike, qese dhe mbetje të tjera të hedhura pa kriter, duke krijuar një pamje të shëmtuar dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e zonës, ashtu siç është raportuar shpesh edhe në plazhin e Velipojës.
Qytetarët shkodranë shprehen të indinjuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore.
Sipas tyre, pas kësaj situate qëndron neglizhenca e Bashkisë Shkodër, e cila sipas banorëve ka kohë që nuk ndërmerr asnjë aksion serioz pastrimi.
Banorët shtojnë gjithashtu se problematikë mbetet edhe gjendja e rrugës kryesore në qendër të Shirokës.
Aty, rruga e amortizuar është e mbushur me gropa të shumta, të cilat vështirësojnë qarkullimin e automjeteve dhe rrezikojnë sigurinë e drejtuesve.
Pamjet e ditëve të fundit tregojnë qartë një zonë të lënë pas dore nga pushteti lokal, ndërsa banorët kërkojnë jo vetëm pastrim të bregut të liqenit, por edhe investime të nevojshme infrastrukturore që do të rikthenin Shirokën në standardet që meriton.
Në pritje të reagimit institucional, situata vijon të përkeqësohet, duke dëmtuar mjedisin, turizmin dhe cilësinë e jetës së banorëve.