Kush është 32-vjeçari i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Mëhalla! Pastrim parash e i dënuar për prostitucion në Itali …

Marselo Arani është shpallur në kërkim nga policia si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.

32-vjeçari nga Elbasani, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër vepër penale, akuzohet së bashku me 35-vjeçarin Armando Kola, banues në Laç, për ekzekutimin e 43-vjeçarit.

Ndaj tyre është ngritur akuza për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë si bashkëpunëtor në vrasje është arrestuar ortaku i viktimës, Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjithashtu u arrestua edhe roja i karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

Kush është Marselo Arani

Më 4 Dhjetor 2024, ai u arrestua nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.

Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit kishte caktuar më 1 dhjetor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, u bë sekuestrimi i 1 apartamenti në Durrës dhe 3 automjeteve, me vlerë rreth 136 000 euro, të cilat dyshohej se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 32-vjeçarit.

LEXO EDHE:Vrasja e Mëhallës, policia në kërkim të ‘Bolit’, shkak shkëmbimi i makinave me sende të tjera

I riu ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.

“Si rezultat i operacionit “Resource”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, informoi policia në atë kohë.

Duke shtuar se: “Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. 31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.”

Zbardhja e vrasjes së biznesmenit

Ekzekutimi i 43-vjeçarit Mondi Mëllaha, krim i ndodhur mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor) në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, dyshohet se ka të bëjë me mosmarrëveshjet për ndarjen e normës së fitimit në biznes.

Sipas burimeve edhe incidentet e fundit mes viktimës dhe ortakut të tij, 32-vjeçarit Xhino Ago, kanë pasur si shkak këtë çështje.

Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërsa si autorë të dyshuar të vrasjes u shpallën në kërkim 32-vjeçari Marselo Arani dhe 35-vjeçari Armando Kola.

Gjithashtu policia ka arrestuar edhe rojen e karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët, si edhe arma e zjarrit me të cilën u vra Mondi Mëllaha.

Blutën informojnë se u sekuestruan gjithashtu dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të 32-vjeçarit Xhino Ago, i cili ia kishte dhënë me hua për përdorje Marselo Aranit.