Atentati në Elbasan/ Arrestohet ish ortaku dhe roja i karburantit. 2 autorët e ekzekutimit të biznesmenit Mëhalla, të lirë (EMRAT)
Dy autorët që kanë marrë pjesë ne ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla janë shpallur në kërkim, ndërsa policia e Elbasanit ka arrestuar ish ortakun e tij në biznesin taksi i dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e atentatit si dhe rojen e karburantit për moskallëzim krimi.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e së dielës, 30 nëntor 2025. 43 vjeçari që njihet edhe me nofkën “Xhaxhi”, sapo kishte dalë nga biznesi i tij të quajtur “Xhaxhi Oil”, një pikë karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, dhe po bëhej gati të largohej me automjetin e tij tip “Renxh Rover”, kur ra pre e atentatit.
Të lirë ekzekutorët
Dy personat që akuzohen se kanë marrë pjesë direkt në ekzekutimin e biznesmenit, dhe janë shpallur në kërkim janë Armando Kola, 35 vjeç banues në Laç dhe Marselo Arani, 32 vjeç nga Elbasani, I cili kishte qenë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale.
“Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, informoi sot policia e Elbasanit.
Njoftimi zyrtar informon se hetimet nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
“Gjithashtu, gjatë operacionit të koduar ‘Strike” u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike" thuhet në njoftimin e policisë ku nuk zbulohet motivi i këtij krimi.
Arrestohet ish ortaku dhe roja
Policia ka arrestuar ish ortakun e Mëhallës në biznesin taksi (“EL-TAXI”), Xhino Ago pasi 'nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Agos, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Arani'.
Në pranga ka rënë dhe roja i karburantit.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Kujtim Pisha 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Ndërkohë, viktima Mëhalla rezulton të jetë pronarë i një sërë aktiviteteve të biznesit, si karburant (“Xhaxhi Oil”), flotë taksish (“EL-TAXI”) dhe një clubi (“HOLLYVOOD LOUNGE BAR").
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Njoftimi i policise
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.
Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.
Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).
Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.
Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.