SHBA me ‘dorë të hekurt’/ Noem: Ndalim i plotë udhëtimi për vendet që 'po na përmbytin' me emigrantë

FOX NEWS

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, njoftoi të hënën se, pas një takimi me Presidentin Donald Trump, do rekomandojë një ndalim të gjerë udhëtimi për çdo vend, që sipas saj po dërgon emigrantë të rrezikshëm në Shtetet e Bashkuara.

Noem e bëri njoftimin në një postim të ashpër në X, duke i denoncuar disa emigrantë si “vrasës” dhe “parazitë”.

“Sapo u takova me Presidentin. Po rekomandoj një ndalim të plotë udhëtimi për çdo vend të mallkuar që ka përmbytur vendin tonë me vrasës, parazitë dhe njerëz të mësuar me përfitime,” tha Noem.

Ajo i quajti disa emigrantë kërcënim për sigurinë publike dhe i akuzoi se po shterojnë burimet që janë të destinuara për amerikanët.

“Etërit tanë e ndërtuan këtë vend me gjak, djersë dhe dashuri të palëkundur për lirinë — jo që pushtues të huaj të masakrojnë heronjtë tanë, të thajnë dollarët tanë të fituar me mund, apo të rrëmbejnë përfitimet që u takojnë AMERIKANËVE,” tha ajo.

“NUK I DUAM. ASNJËRIN.”

Njoftimi erdhi pasi zyrtarët e rendit raportuan se një emigrant afgan dyshohet se sulmoi dy anëtarë të Gardës Kombëtare të mërkurën e kaluar në Uashington, D.C., vetëm disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë.

Autoritetet e identifikuan të dyshuarin si Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, i cili hyri ligjërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 nën programin ‘Operation Allies Welcome’ të administratës Biden, një program që evakuoi dhe sistemoi refugjatë afganë ndërsa talebanët morën kontrollin e Afganistanit.

Noem kritikoi procesin, duke pohuar se Lakanwal nuk ishte verifikuar siç duhet dhe duke fajësuar administratën Biden për atë që ajo e përshkroi si kontroll të pamjaftueshëm të afganëve dhe shtetasve të tjerë të huaj gjatë mandatit të ish-Presidentit Joe Biden.