Izolohet çarja e argjinaturës së lagunës së Vainit, rreziku për përmbytje ende prezent

Argjinatura e çarë e lagunës së Vainit në zonën e Tales është arritur të izolohet, megjithatë rreziku për përmbytje vijon të mbetet. Operacioni i ndërhyrjes ka përfunduar rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku janë hedhur tonelata gurësh dhe inertesh për të mbyllur çarjen.

Mjetet e ushtrisë pritet të rikthehen sërish në terren gjatë ditës për të vijuar me përforcimin e argjinaturës, e cila ende ka rrjedhje uji. Fatmirësisht, çarja e argjinaturës për herë të dytë nuk ka shkaktuar dëme të mëdha në zonën e bregut të Matës.

Ndërkohë, që prej datës 23 nëntor, policia ka kryer veprime verifikuese dhe ka referuar materialet në Prokurori lidhur me çarjen e argjinaturës. Dyshohet se incidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e mos hapjes së kanalit natyror që siguron komunikimin e detit me lagunën e Vainit.