Modric rrëfen të pathënat: Mourinho, Zidane, Ronaldo… dhe transferimi që i ndryshoi jetën
Në moshën 40-vjeçare, Luka Modric vazhdon të jetë pjesë thelbësore e formacionit të Milanit të drejtuar nga Massimiliano Allegri, por verën e shkuar jetoi një moment të rëndësishëm në karrierë: largimin emocional nga Real Madridi pas Kupës së Botës për Klube. Në një intervistë për ‘Ne Uspjeh Prvaka’, kroati u rikthye pas në kohë, duke kujtuar ditët e para në “Bernabéu”.
“Hyra në një dhomë zhveshjeje me gjigantë të vërtetë: Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Gonzalo Higuain, Xabi Alonso… Cristiano ishte duke bërë masazh dhe më tha: Më në fund mbërrite!”, rrëfen Modric me buzëqeshje.
Më pas ai ndalet te njeriu që ndikoi më shumë në transferimin e tij në Spanjë. “Jose Mourinho është personi kryesor që më mori te Reali. Klubi fillimisht donte emra si Silva, Mata, Cazorla… por Mourinho thai prerë: O Luka, ose askush! Për këtë do t’i jem gjithmonë mirënjohës,” theksoi mesfushori.
Edhe për Zinedine Zidane, Modric ka vetëm fjalë të mëdha:
“Tre Champions League radhazi flasin vetë. Ardhja e tij në dhomën e zhveshjes ishte diçka ndryshe, magjike. E shikonim me adhurimin e fëmijëve. Si ndihmës ishte i heshtur, por si trajner u shfaq fenomenal. Kishte një formim të veçantë, e njihte futbollin në detaje, bënte rotacione sepse u besonte të gjithëve. Ai cikël ishte i paarritshëm.”
Modric ndalet edhe te momenti kur u largua nga Tottenhami. Chelsea kërkoi shërbimet e tij, por Daniel Levy ishte kategorik:
“Klubi i vetëm ku do të të lë të shkosh është Real Madridi.”
Më pas, filluan javë të vështira negociatash. “Para Europianit, më telefonuan dhe më thanë se Reali më donte. U befasova. Të shkoja atje nuk ishte aspak e lehtë, negociatat ishin të gjata. Të gjithë e dinë si u solla atë periudhë: ishte e vështirë të merrja atë hap, por fjala ime është ligj për mua. Nëse do të duhej, isha gati të mos luaja më, vetëm që të ruaja premtimin tim. Në fund, gjithçka u shpërblye.”