Sharka: Qeveria po përzë fermerët për t’u marrë tokën! Parqe fotovoltaike dhe kanabis në vend të bujqësisë
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Eduart Sharka, drejtues i sektorit të politikave agrare në Departamentin e Bujqësisë të PD, deklaroi se ndaj fermerit të vogël shqiptar po ushtrohet një presion i mirëorganizuar, me qëllim që ai të braktisë tokën.
Sipas tij, kjo është pjesë e një skeme ku toka bujqësore përfundon në duart e interesave të mëdha që synojnë ngritjen e parqeve fotovoltaike apo edhe kultivimin e kanabisit. Sharka theksoi se subvencionet shumë të ulëta, vështirësitë e qëllimshme në treg dhe përmbytjet e fundit të pamenaxhuara janë mekanizmat që po çojnë drejt zhdukjes së fermerit të vogël dhe zbrazjes së fshatrave.
Ai solli si shembull dhënien masive të lejeve për parqe fotovoltaike në tokat më pjellore të vendit, përfshirë zemrën e Myzeqesë, si dhe rritjen 30 milionë euro të importeve ushqimore në vetëm 10 muaj, që sipas tij përbën kërcënim serioz për sigurinë ushqimore të vendit.
Sharka u ndal edhe tek dëmet e mëdha nga përmbytjet, duke kërkuar që qeveria të zbatojë detyrimin ligjor për dëmshpërblimin e fermerëve, ndërsa akuzoi se mosveprimi i saj është pjesë e të njëjtit presion që po i detyron fermerët të heqin dorë nga toka dhe të largohen nga Shqipëria.
Pjesë nga deklarata:
Jo, absolutisht jo. Po të kujtojmë Muçin, po të kujtojmë të gjitha fushatat e famshme të qeverisë, ka qenë një luftë kundër fermerit të vogël. Nuk e duan, duan ta përzënë nga Shqipëria. Këta fermerë të vegjël kanë edhe parcela toke në pronësi dhe mund t’i shesin shumë lirë, në rast se qeveria i vë në vështirësi, e më pas kërkon që këto parcela t’i bashkojë dhe të bëhen plantacione kanabisi, ose parcela fotovoltaike. Unë besoj se fermerët e vegjël kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë nën këtë presion, për të braktisur tokën, për të braktisur fshatin, për të braktisur Shqipërinë. Dhe në fakt ka ndodhur: ia kanë arritur qëllimit. Sa vjen e tkurret popullsia rurale dhe sa vjen, rrinë parcela të papunuara. Është një fatkeqësi e madhe.
E dhëna e fundit e INSTAT-it, nëse e keni marrë vesh, është që janë rritur importet e produkteve ushqimore me 30 milionë euro këto 10 muaj. Ngelet i konsoliduar ai raporti: tre njësi ushqim vijnë në Shqipëri dhe një del për eksport. Në kushtet që jemi, është një raport i papranueshëm, sepse cenon sigurinë kombëtare. Të kesh një pozicion gjeografik si Shqipëria, të kesh një popullsi rurale në këtë përqindje që e kemi ne, të kesh traditë dhe 40% të popullsisë që për arsye të ndryshme është e detyruar të merret me këtë punë, dhe të kesh këtë raport…
Nëse nuk kemi pasur shkëputje në lidhjen tonë direkte, besoj se e thashë: kam kohë që e kam konstatuar këtë synim të qeverisë. Presion mbi fermerët, subvencionojmë pesë herë më pak se vendet e rajonit, vështirësi në treg, përparësi për produktet e rajonit, detyrimi për të shitur lopët, gjithë presioni për mos punimin e tokës. Synimi është të krijohen madje kanë shkuar shumë thellë sepse ju e dini që kanë dhënë leje jo më vetëm në tokat e kripura të Gjadrit, por edhe në zemër të Myzeqesë. Kanë disa projekte ku sipër vendosen pasqyra fotovoltaike dhe poshtë mund të kultivohen bimë, në letër, sipas projekteve. Kanë një emër që quhen “parqe fotovoltaike miks”, ku mund të zhvillosh edhe bujqësi, dhe thuhet se ky projekt nuk dëmton tokën bujqësore. Pra, makutëria është që jo vetëm në tokat bregdetare, që mund të jenë të kripura e jo shumë produktive, por edhe në zemër të Myzeqesë janë dhënë leje për parqe fotovoltaike, në sipërfaqe fillimisht të vogla, disa hektarëshe. Por po të analizosh të gjitha këto politika të ndjekura përgjatë 13 viteve, të çojnë në përfundimin se interesi është t’ua marrin tokën fermerëve, për të bërë këto parqe, e madje edhe parcela kanabisi, sepse ka edhe leje të tilla. Ju e dini: para zgjedhjeve të 11 majit u dhanë shumë leje për mbjelljen e parcelave me kanabis.
Flavio, doja të bëja një thirrje. Aktualisht jemi përballë dëmeve të mëdha të shkaktuara nga përmbytjet. Ka shumë fermerë në Myzeqe dhe pothuajse në të gjithë Shqipërinë që kanë pësuar dëme të jashtëzakonshme. Kjo qeveri ka detyrim ligjor t’i dëmshpërblejë. Të zbatojë ligjin për emergjencat civile, nenin 42. Përjashtohen vetëm fermerët që kanë parcela apo sera në zonat përtej digave që mbrojnë lumenjtë nga dalja në fusha. Por nëse unë e kam tokën në një parcelë të dhënë me ligjin 7501, jashtë digës së lumit, është faji i qeverisë dhe detyrimi i saj të më dëmshpërblejë për dëmin e shkaktuar nga përmbytja. Ndoshta duhet bërë edhe kjo, nuk e di, por thirrja ime është sepse gjendja është alarmante. Janë dëme të jashtëzakonshme dhe kjo është një nga arsyet që i largon fermerët nga Shqipëria. Fatkeqësia natyrore është njësoj si tërmeti.