Është bërë për psikolog, futbollisti i Barcelonës do të mungojë për ca kohë për të rigjetur ekuilibrin mendor
Para supersfidës së mbrëmjes në La Liga mes Barcelonës dhe Atletico Madridit, skuadra katalanase është goditur nga një tjetër mungesë e rëndësishme: Ronald Araujo nuk do të jetë i gatshëm të luajë, pasi po përballet me një periudhë të ndërlikuar në planin psikologjik.
Trajneri Hansi Flick, i cili drejton Barcelonën, e konfirmoi situatën me shumë kujdes:
“Ronald nuk është gati. Është një çështje private dhe nuk dua të shtoj më shumë. Kërkoj mirëkuptim dhe respekt.”
Sipas spanjolles “Marca”, përfaqësues të lojtarit kanë zhvilluar takime me drejtuesit e klubit për të siguruar mbështetje të specializuar psikologjike. Mbrojtësi uruguaian ka kërkuar një periudhë pushimi pa afat të caktuar, me synimin që të rikuperojë qetësinë dhe ekuilibrin e tij mendor, megjithëse fizikisht është në gjendje optimale.
Brenda klubit ka unanimitet: drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët janë të bashkuar në qëllimin për ta ndihmuar Araujo-n të rikthehet, pa presion dhe me kohën e nevojshme për të rifituar besimin dhe ritmin e tij.
Situata e tij është rënduar edhe nga episodi i së martës në ‘Stamford Bridge’, ku mori karton të kuq në ndeshjen e Champions League kundër Chelsea-t. Ndërhyrja e vonuar ndaj Cucurella-s, e cila i solli të dytin e verdhë kur Barcelona po humbiste 1-0, ka pasur ndikim të madh emocional tek ai.
Që prej kësaj ndeshjeje, Araujo ka qenë jashtë ritmit të grupit dhe nuk ka marrë pjesë në dinamikën e zakonshme të skuadrës. Klubi dhe shokët e tij kanë shprehur mbështetje të plotë, të vetëdijshëm se lojtari ka qenë nën presion edhe sezonin e kaluar për shkak të disa gabimeve vendimtare.
Kjo ndërprerje, siç theksojnë burime pranë klubit, është një hap i domosdoshëm për t’i dhënë Araujo-s kohë për t’u rigjeneruar. Synimi është që ai të rikthehet më i fortë, gati për të udhëhequr sërish mbrojtjen e Barcelonës së Hans Flick, në një moment kyç të sezonit.