Protestat në Greqi/ Pika kufitare e Kakavijës ende e bllokuar, fermerët paralajmërojnë përshkallëzime

Pika kufitare e Kakavijës vijon të jetë e mbyllur për shkak të protestës së fermerëve grekë, që ka nisur prej ditës së djeshme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke).

Raportohet se këtë të hënë protesta e fermerëve grekë po bëhet në Kallpaq, ku kryqëzohen rrugët e dy pikave të kalimit Kufitar Kakavijë e Tre Ura.

LEXO EDHE: Fermerët grekë përshkallëzojnë protestat me bllokada të reja, tensione dhe përplasje me policinë (VIDEO)

Fermerët kërkojnë nga qeveria e Greqisë fonde, teksa theksojnë se fondet e Bashkimit Europian që duhej tu jepeshin janë shpërdoruar.

Ata kanë paralajmëruar se nëse s’do të ketë bisedime do të ketë bllokime në të gjithë territorin grek, raportojnë mediat e huaja.

Njoftimi i plotë:

Kakavijë

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.