Aksident në aksin Mbreshtan-Pashalli: Kamionçina del nga rruga dhe bie në përrua, katër të plagosur
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Mbreshtan-Pashalli në Berat, në vendin e quajtur “Rezervuari”. Një mjet tip xhip-kamionçinë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në një përrua pranë rrugës.
Si pasojë e aksidentit është plagosur drejtuesi i automjetit, Kastriot Çuka, 59 vjeç, si dhe tre pasagjerët që udhëtonin me të. Të lënduarit janë nxjerrë nga mjeti me ndihmën e forcave të policisë dhe më pas janë transportuar në Spitalin Rajonal Berat, ku po marrin trajtim mjekësor për plagët e marra.
Sipas burimeve policore, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht raportohet se mungesa e ndriçimit në segment dhe gjendja e amortizuar e rrugës, e cila paraqet kthesa të forta dhe dëmtime të shumta, mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.