I ftuar sërish në Shtëpinë e Bardhë/ Netanyahu: Do diskutojmë me Trump për Gazën dhe...

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur sot se është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë në një të ardhme të afërt.
Njoftimi u dha pas një bisede telefonike mes dy liderëve të zhvilluar këtë të hënë.

Këtë vit, Netanyahu dhe Trump kanë realizuar katër takime kokë më kokë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe dhjetëra biseda telefonike.

Deklarata e zyrës së kryeministrit izraelit u publikua pak pasi presidenti Trump kishte shkruar në rrjetet sociale për dialogun mes Izraelit dhe Sirisë.

“Sapo zhvillova një bisedë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, thuhet në njoftim, ku shtohet se Trump e ka ftuar Netanyahun “të vizitojë së shpejti Shtëpinë e Bardhë”.

Gjatë bisedës, të dy liderët theksuan rëndësinë e çarmatimit të Hamasit dhe demilitarizimit të Rripit të Gazës, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për këtë objektiv. Ata diskutuan gjithashtu për zgjerimin e marrëveshjeve të paqes dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin hebre.

Në deklaratë nuk jepet ndonjë datë e përcaktuar për vizitën.