Berisha: Në Shqipëri ligjin e bën droga dhe Edi Rama po qeveris bashkë me ta
Duke folur në ‘Foltoren e qytetarëve dhe deputetëve’ të zhvilluar para Kryeministrisë, lideri i opozitës Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën për bashkëqeverisje me botën e krimit dhe për kapjen e institucioneve shtetërore nga ekonomia e drogës.
Berisha deklaroi se trafiku i lëndëve narkotike ka deformuar ekonominë, ka mbyllur ndërmarrje, ka nxitur emigracionin dhe ka varfëruar qindra mijëra shqiptarë. Ai e cilësoi parlamentin si të shndërruar në një institucion të keqpërdorur dhe të nënshtruar, duke theksuar se opozita dhe qytetarët nuk do të lejojnë që ai të përdoret si instrument i qeverisë.
Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të mos pranojnë normalizimin e kësaj situate dhe të vijojnë betejën politike derisa, siç tha ai, ‘të marrë fund koha e zezë e kësaj bande’.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Miq, arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga.
Çfarë ndodh me drogën?
Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejnerë.
Me qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë.
Me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët e dheut.
Kjo është mënyra. Ikin se shkatërrohen vendet e punës.
Çfarë ndodh? 35 përqind zhvlerësohet euro.
Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, marrin 35 përqind më pak, bëhen 35 përqind më të varfër.
Çfarë ndodh?
Çmime stratosferike në ndërtime se baronët e drogës nuk i kanë gjë paratë.
Çfarë ndodh?
Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, droga vret në Elbasan, vret kudo, vret dhe vret cilindo.
Dhe Edi Rama qeveris së bashku me ta.
Do e pranojmë ne këtë?
Jo, kurrë.
Ky e ka shndërruar parlamentin në institucionin më qesharak, më të turpshëm të vendit
Po parlamenti është përfaqësuesi juaj, është vota juaj, është vullneti juaj.
A do e lejojmë ne ta përdorë parlamentin në mënyrën siç po e përdor ky?
Jo, kurrë.
Ndaj dhe koha është e jona.
Këtyre u ka ikur koha.
Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që u kanë bërë shqiptarëve.