VIDEO/ Memelli: Shqipëria nuk është e varfër, por e vjedhur…të moshuarit me pensione mizerabël

Në një fjalim gjatë protestës së opozitës, zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmina Memelli u shpreh se një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në kufijtë e varfërisë jo sepse vendi është i varfër, por sepse është i vjedhur. Sipas saj, qytetarët janë vjedhur pikërisht nga ata që duhet t’u shërbenin për një jetesë dinjitoze.

Memelli denoncoi një realitet paralel me atë që paraqesin ministrat. Ndërsa qeveria flet për arritje në arsim, bujqësi apo turizëm, realiteti i përditshëm për shqiptarët është krejt tjetër. Ajo u shpreh se pasiguria në shkolla, që i lë prindërit me ankth çdo mëngjes, dhe drama e fermerëve që detyrohen të hedhin mundin dhe djersën e tyre në kanale, pasi tregu është i mbushur me produkte importi që “helmojnë qytetarët”.

Në fokus të akuzave ishin edhe fondet dhe mbështetja ekonomike. Memelli  theksoi se fermerët nuk subvencionohen, ndërsa fondet e IPARD janë të bllokuara për shkak të 33 milionë eurove të zhdukura, ndërsa 112 milionë të tjera nuk arrijnë dot tek ata. Po ashtu, u kritikua trajtimi i familjeve në nevojë me shifra “qesharake”, ku numri i përfituesve është ulur nga 64 mijë në 59 mijë familje. Ajo përmendi edhe pensionistët, të cilët, trajtohen me pensione mizerabël që nuk u mjaftojnë as për dhjetë ditët e para të muajit.

Të gjitha këto dështime, sipas Memellit kanë një pasojë të rëndë: emigrimin masiv. Qindra mijëra familje shqiptare kanë marrë rrugët e emigrimit, duke shkaktuar plagën e thellë të shpopullimit. 

Memelli:

Sepse Shqipëria për fat të keq është e vjedhur. Qytetarët shqiptarë janë të vjedhur dhe janë të vjedhur pikërisht nga ata që sot duhet t'i mbështesnin dhe t'ju shërbenin për t'ju garantuar një jetesë dinjitoze në vendin e tyre. Zoti kryeministër, realiteti i shqiptarëve nuk është ai realitet që ju tregojnë ju ministrat duke ngrënë kumbulla mbas shpinës suaj për arritje të suksesshme në arsim, në bujqësi, në turizëm apo në shëndetësi e kudo. Dhe ju me fytyrë nga muri, duke pirë verën tuaj 33.000 euro shishja, i besoni.

Realitetin shqiptar e njohin dhe e jetojnë të gjithë ata prindër që çdo mëngjes nisin fëmijët e tyre për në shkollë, me shpresën që mos të ndodhë asgjë sepse siguria në shkollat e vendit tonë është pothuajse inekzistente. Realitetin e njohin dhe e jetojnë të gjithë ata fermerë që hedhin nëpër kanale mundin dhe djersën e tyre, sepse në Shqipëri nuk ka treg për prodhimet vendase.

Ju janë hapur portat mallrave të importit, që po helmojnë dita-ditës qytetarët shqiptarë. Fermerët nuk mbështeten, nuk subvencionohen dhe ato fonde dedikuar tyre, fondet e IPARD, janë bllokuar sepse ende nuk dihet se ku kanë përfunduar 33 milionë eurot e para. 112 milionë euro që sot do t'ju jepnin mundësi fermerëve shqiptarë të merrnin frymë. Sigurisht, në qoftë se do të arrinin deri tek ata.

Familjet në nevojë, përveç se trajtohen me shifra qesharake, qeveria ju ka lënë pothuajse të njëjtin buxhet dhe ka ulur edhe numrin e familjeve që përfitojnë nga trajtimi ekonomik. Nga 64.000 familje, janë ulur në 59 familje që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Për të mos folur për shtresën më vulnerabël të shoqërisë sonë, që janë pensionistët.

Trajtohen me pensione mizerabël. Nuk dalin dot dhjetë ditëshin e parë të muajit dhe jo më ta mbyllin atë. Të gjitha këto edhe më shumë, duhet një natë dimri, thotë populli shqiptar për t'i treguar, dështimet e kësaj qeverie, kanë bërë që qindra e mijëra familje shqiptare të marrin rrugët e emigrimit dhe sot Shqipëria të vuajë një nga plagët më të thella, shpopullimin.