Çahet argjinatura e Tales, eksperti tregon pse zona rrezikon sërish përmbytje masive

Zona e Tales në Lezhë përballet sërish me rrezikun e përmbytjeve pas çarjes së përsëritur të argjinaturës, një fenomen që ka ngjallur sërish shqetësim te banorët.

Sipas ekspertëve në terren, problemi buron nga mënyra se si menaxhohen ujërat e hidrovorit dhe të lagunës. Zgjidhja e përhershme kërkon që laguna të komunikojë në mënyrë të pavarur me detin, përmes një kanali të veçantë shkëmbimi, pa u përzier me ujërat që shkarkohen nga hidrovori. Situata aktuale, ku ujërat ndahen dhe një pjesë devijon, përshkruhet si një “plagë e vjetër e rihapur”, duke theksuar se ndërhyrjet e mëparshme nuk kanë qenë afatgjata.

Zgjidhjet e deritanishme kanë qenë vetëm provizore. Përpjekjet e mëparshme për një zgjidhje afatgjatë nuk janë finalizuar. Një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkonte instalimin e përhershëm të një drage ose një mjeti tjetër gërmues për të mbajtur grykën hapur gjatë gjithë vitit. Kostot e mirëmbajtjes vjetore, të llogaritura vite më parë, arrinin deri në 30,000 dollarë, një investim i nevojshëm për të siguruar funksionimin e pavarur si të lagunës ashtu edhe të hidrovorit.

Rreziku për zonat e banuara mbetet i lartë dhe varet drejtpërdrejt nga baticat dhe zbaticat. Gjatë fazave të baticës, niveli i detit rritet, duke shkaktuar edhe një rritje të nivelit të ujit në lagunë. Kjo shtesë vëllimi e bën shkarkimin më të vështirë dhe mund të bëjë që hidrovori të mos jetë në gjendje të përballojë fluksin, duke çuar në përmbytje.

Për sa kohë që nuk do të ketë një ndërhyrje strategjike për të ndarë përfundimisht ujërat e hidrovorit nga ato të lagunës, Tale do të mbetet peng i kushteve të motit dhe lëvizjeve të detit, me një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e banorëve dhe pronave të tyre.

Gazetari: Kemi sërish çarje të argjinaturës në zonën e Tales. Është një fenomen i cili po përsëritet sërish. Si e sheh? Cili është shkaku i kësaj situate?

Eksperti Jak Gjini: Tani, tashmë ne e mësuam mirë se çfarë ka ndodhur këtu me këtë situatë. Pra, për arsye se ujërat e hidrovorit duhet të shkarkojnë tërësisht në det, ato ose ndahen dhe vjen pjesërisht në det ose pjesërisht.

Në qoftë se nuk funksionon gryka e matkeqes, dhe në këtë situatë ka qenë një plagë që u mbyll, po ajo plagë u hap prapë.

Pra, kjo është një vërejtje, është një, një, një mirëmbajtje gjatë këtyre ditëve, një vëzhgim më i kujdesshëm, por gjithsesi kjo është, është një zgjidhje provizore.

Zgjidhja e përhershme që krijon stabilitet është gjithmonë që laguna duhet të komunikojë me detin nëpërmjet një ujkëmbimi të veçantë, jo duke u bashkuar me ujërat e hidrovorit.

Dhe këtu ka pasur përpjekje më përpara për ta zgjidhur këtë situatë, por nuk kanë shkuar për ta finalizuar.

Aty duhet një dragë ose një mjet tjetër gërmues që hap grykat dhe që duhet të jetë i instaluar aty gjatë gjithë vitit.

Është llogaritur edhe përpara shumë viteve që duhet një, në atë kohë kishe më shumë këto ekskavatorët me,që të punonte gjatë gjithë vitit dhe llogaritesh një shumë prej 30,000 dollarësh që të shpenzohesh për një vit mirëmbajtje që të funksionojnë laguna edhe hidrovori të punojë në mënyrë të pavarur dhe të kryejë funksionin edhe që ka hidrovori.

Gazetari: Mbyllja e grykës, mosmirëmbajtja e kësaj, mendoni që ka krijuar këtë problematikë?

Eksperti Jak Gjini: Do të thotë që gryka, e para, nuk ka shkuar në optimalen e vet që të ndahen me ujërat e lagunës. Pra, komunikimi i hidrovorit me detin duhet të jetë i pavarur nga i lagunës me detin. Edhe sikur ta bësh të pavarur, në qoftë se e gjet, këtë plagë që e ka gjet tashmë, e ka hapur, rihap edhe njëherë. Nuk ka qenë plaga e mbyllur mirë më përpara, nuk i ka parashikuar se njerëzit nuk i kanë këto lloj eksperiencash akoma, se këtu është argjinaturë, janë një volum ujërash

Gazetari: A rrezikohet sërish zona e banuar në këto kushte?

Eksperti Jak Gjini: Kjo varet se çfarë, sepse varet nga gjendja e baticës-zbaticës së detit. Se gjithmonë niveli i lagunës, i ujërave të lagunës është niveli i detit. Në qoftë se jemi në një fazë batice, që shkon nga 30 cm deri në 60 cm niveli, kemi rritje të nivelit aty dhe shkarkimi këtu duhet të jetë më i madh. Dhe hidrovori nuk duhet ta përballojë.