Një 47-vjeçar i shëndetshëm ha një hamburger dhe vdes disa orë më vonë
Shkencëtarët kanë konfirmuar vdekjen e parë të shkaktuar nga alergjia ndaj mishit e nxitur nga pickimi i rriqrave, një gjendje që shfaqet pasi organizmi sensibilizohet ndaj molekulës alpha-gal pas pickimeve të rriqrës Lone Star.
Rasti përfshinte një burrë 47-vjeçar nga Nju Xhersi, i cili vdiq papritur katër orë pasi kishte ngrënë mish viçi. Fillimisht, shkaku i vdekjes ishte i paqartë, derisa alergologu Thomas Platts-Mills, studiuesi që zbuloi këtë alergji, analizoi provat dhe konfirmoi se reaksioni fatal ishte shkaktuar nga alergjia ndaj alpha-gal.
Kjo alergji shfaqet pasi pështyma e rriqrës fut në organizëm molekulën alpha-gal, e cila gjendet në shumicën e gjitarëve (përveç primatëve). Tek disa njerëz, sistemi imunitar prodhon antitrupa IgE kundër saj. Më pas, ngrënia e mishit të gjedhit, derrit apo qengjit mund të shkaktojë një reaksion alergjik të vonuar 3–6 orë pas vaktit, kur yndyrnat që përmbajnë alpha-gal qarkullojnë në gjak.
Shkencëtarët kishin frikë prej vitesh se në raste të rënda kjo gjendje mund të çonte në anafilaksi fatale. Ky është rasti i parë i konfirmuar.
Platts-Mills paralajmëron se dhimbja e fortë e barkut 3–5 orë pas ngrënies së mishit duhet të merret seriozisht dhe mund të rrisin rrezikun e alergjisë.
Burri kishte qenë në kamping me familjen në verën e vitit 2024. Një natë hëngrën biftek në orën 22:00; ai u zgjua në 02:00 me dhimbje të forta barku, të vjella dhe diarre. Ndërsa simptomat kaluan, ai i tha të birit se mendoi se do të vdiste. Dy javë më vonë, pa e ditur se ishte sensibilizuar, ai hëngri një hamburger. Në orën 19:37 u gjet i rrëzuar në banjë dhe ndërroi jetë.
Autopsia fillimisht e klasifikoi vdekjen si “e pashpjegueshme”, por gruaja kërkoi një rishikim. Analizat e gjakut të mbledhur pas vdekjes treguan sensibilizim të fortë ndaj alpha-gal, tipik për anafilaksinë fatale.
Mjekët dyshojnë se disa faktorë e rënduan reaksionin: një birrë gjatë vaktit, alergjia ndaj polenit të ambrozisë, ushtrimet fizike atë ditë dhe fakti që ai hante mish të kuq shumë rrallë. Gjithashtu, pickimet e rriqrave që kishte pësuar ishin me shumë gjasë larva të rriqrës Lone Star.
Platts Mills paralajmëron se rreziku po rritet, pasi popullsia e drerëve, bartës kryesorë të këtyre rriqrave, po shtohet. Ai u bën thirrje mjekëve dhe pacientëve të njohin simptomat dhe të testohen nëse kanë dhimbje të forta barku disa orë pas ngrënies së mishit të gjitarëve. / Marca - Syri.net