Nën sanksione dhe kërcënime nga SHBA - Rusi/ Presidentja e GJND-së: S’pranojmë asnjë presion!
Presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) tha gjatë takimit vjetor të institucionit të hënën, se nuk do të përkulet para presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Nëntë anëtarë të stafit, përfshirë gjashtë gjyqtarë dhe kryeprokurorin e gjykatës, janë sanksionuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për ndjekjen e hetimeve ndaj zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, ndërsa Moska ka lëshuar urdhër-arreste për stafin në përgjigje të një urdhër-arresti për Presidentin Vladimir Putin për shkak të luftës në Ukrainë.
"Ne nuk pranojmë kurrë asnjë lloj presioni", u tha gjyqtarja Tomoko Akane delegacioneve nga 125 shtetet anëtare të gjykatës.
Sanksionet kanë ndikuar në punën e gjykatës në një gamë të gjerë hetimesh, në një kohë kur institucioni po përballet me kërkesa gjithnjë e më të mëdha për burimet e tij.
Në një fjalim vitin e kaluar, Akane paralajmëroi se gjykata po kërcënohej nga administrata e ardhshme Trump.
Tre javë pasi mori detyrën për herë të dytë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendoste sanksione ndaj Prokurorit Karim Khan për hetimet e Izraelit, një aleat i ngushtë i SHBA-së.
Gjykata lëshoi një urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte të dyshuara gjatë ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza.
Mbledhja njëjavore e gjykatës u hap të hënën dhe çështjet në agjendë përfshijnë miratimin e buxhetit të saj në një sfond presioni në rritje dhe titujsh të pafavorshëm lajmesh.
Gjykata e fundit
Gjykata Penale Ndërkombëtare u krijua në vitin 2002, si gjykata e përhershme e fundit në botë për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për mizoritë më të tmerrshme, siç janë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidi dhe krimi i agresionit.
SHBA-të, Izraeli, Rusia dhe Kina janë midis kombeve që nuk janë anëtare.
Gjykata ndërmerr veprime vetëm kur kombet nuk janë në gjendje ose nuk janë të gatshme të ndjekin penalisht ato krime në territorin e tyre. GJPN-ja nuk ka forcë policore dhe mbështetet te shtetet anëtare për të ekzekutuar urdhër-arreste.
Përveç stafit që përballet me sanksione dhe urdhër-arreste, Khan ka dhënë dorëheqjen përkohësisht në pritje të rezultatit të një hetimi mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale. Ai i mohon akuzat.
Presidentja e Asamblesë së Shteteve Palë, Päivi Kaukoranta, pranoi se hetimi për atë që ndodhi midis Khan dhe një ndihmëseje femër ka zgjatur më shumë se sa pritej.
"Jam shumë e vetëdijshme që shtetet janë frustruar me kohëzgjatjen e këtij procesi", tha ajo në fjalën e saj hapëse.
Nuk është caktuar një datë për përfundimin e hetimit./ Euronews.