Nedim Bajrami rikthehet fuqishëm, titullar pas shumë kohësh dhe menjëherë në formacionin e javës në Skoci
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ka bërë një rikthim mbresëlënës në futbollin skocez. Pas një periudhe të gjatë në stol, 26-vjeçari u aktivizua titullar në ndeshjen që Rangers barazoi pa gola ndaj Falkrik, duke luajtur 75 minuta dhe duke lënë menjëherë gjurmë me paraqitjen e tij.
Performanca solide, intensiteti në mesfushë dhe roli organizativ i Bajramit nuk kanë kaluar pa vëmendje. Mesfushori u përzgjodh menjëherë në formacionin e javës së kampionatit të Skocisë, një vlerësim që tregon se ai mbetet një element i rëndësishëm për skuadrën e Rangers dhe për fatet e sezonit.
Në Skoci kanë vlerësuar pozitivisht rikthimin e tij, veçanërisht duke parë se Bajrami nuk kishte qenë titullar prej datës 26 korrik, në një ndeshje miqësore të zhvilluar para fillimit të sezonit. Përmes paraqitjes së djeshme ai tregoi se është gati të rikthehet si protagonist.