SYRI TV/ Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, LVV garon në koalicion me 4 parti
Kosova do të zhvillojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, pas dështimit dy herë rradhazi të formimit të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025. Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në këto zgjedhje në koalicion me katër parti për të forcuar pozitat, ndërsa subjektet kryesore opozitare, si LDK, PDK, AAK dhe Nisma, kanë vendosur të garojnë të vetme në betejën elektorale.
Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen sërish kutive të votimit më 28 dhjetor, pas dy dështimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re, gjë që çoi edhe në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, është përmbyllur afati për deklarimin e koalicioneve dhe aplikimin për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas autoriteteve zgjedhore, në garë janë 23 subjekte politike, prej të cilave 3 koalicione, 17 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pjesë e garës elektorale në një koalicion të përbërë nga katër parti: LVV, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.
Ndryshe nga LVV, subjektet kryesore opozitare, si LDK, PDK, AAK dhe Nisma, do të garojnë të vetme në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.