Valdano ngre pyetjen që Real Madridi duhet t’ia bëjë vetes për Mbappé-në

Ish-lojtar dhe ish-trajner i Real Madridit, Jorge Valdano, ka rikthyer në qendër të debatit varësinë e madrilenëve nga Kylian Mbappé, pas barazimit 1-1 ndaj Gironës. Sipas tij, dilema kryesore që klubi duhet të shtrojë është e qartë.

Valdano, i cili ka veshur fanellën e Realit nga viti 1984 deri në 1987 dhe ka qenë trajner i ekipit midis viteve 1994-1996, e thotë hapur:

“Ajo që duhet të pyesë Real Madridi është: ku do të ishte sot pa Kylian Mbappé-në?”

Francezi, i cili këtë sezon numëron 23 gola dhe tri asistime në 19 ndeshje, edhe ndaj Gironës ishte vendimtar: shënoi nga penalltia dhe pati një tjetër gol të anuluar për prekje me dorë.

“Çdo paraqitje e Mbappé-së është një shfaqje më vete dhe kështu ishte edhe kundër Gironës”, shtoi Valdano në Deporte Plus+ të Movistar Plus+.

Sipas tij, sulmuesi shkëlqeu në çdo moment të ndeshjes: kur skuadra ishte mirë, kur vuante, kur ishte në disavantazh apo në barazim. “Ai pati një paraqitje madhështore”, nënvizoi Valdano, duke theksuar se, megjithatë, kjo nuk mjaftoi që Reali të merrte tri pikët.

Debati mbi varësinë nga Mbappé

Pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Olympiacos-it, ku Mbappé shënoi katër gola, ai tentoi të mbyllte debatin rreth varësisë së ekipit nga ai:

“Nuk mendoj se ekziston varësi. Kjo është më shumë diçka e gazetarëve ose e njerëzve jashtë.”

Megjithatë, statistikat flasin vetë: francezi ka realizuar 23 nga 41 golat e Real Madridit këtë sezon, më shumë se gjysma.

Debati i madh se sa varet Real Madridi nga ‘ylli’ francez vazhdon, por një gjë mbetet e pakontestueshme: në këtë fillim sezoni, Mbappé po e mban skuadrën madrilene në garë me një intensitet të jashtëzakonshëm.