Disa viktima vetëvrasjeje nuk shfaqin shenja paralajmëruese, studimi zbulon një grup të fshehtë rreziku

Një pyetje e dhimbshme përsëritet shpesh te familjet që humbasin dikë nga vetëvrasja: "Si nuk e vumë re?" Një studim i ri sugjeron se, për një pjesë të njerëzve, nuk ka pasur shenja të dukshme për të parë.

Studiuesit në Universitetin e Utahut zbuluan se personat që kryejnë vetëvrasje pa shfaqur më parë simptoma si mendime vetëvrasëse apo tentativa, mund të kenë faktorë rreziku krejt të ndryshëm nga ata që shfaqin sjellje të tilla. Zbulimet u publikuan së fundmi në JAMA Network Open.

Rreth gjysma e personave që vdesin nga vetëvrasja nuk kanë histori të njohur të mendimeve vetëvrasëse dhe shpesh as diagnoza të çrregullimeve mendore si depresioni. Për të kuptuar më mirë këtë grup të fshehtë, studiuesit analizuan të dhëna gjenetike të anonimizuara të mbi 2700 personave që kishin kryer vetëvrasje.

Ata zbuluan se personat pa shenja të mëparshme kishin më pak diagnoza psikiatrike dhe më pak faktorë gjenetikë të lidhur me depresionin, ankthin, Alzheimerin ose stresin post-traumatik. "Nuk është thjesht se s'kemi vënë re depresionin, shumë prej tyre në fakt nuk janë depresivë," tha autorja kryesore e studimit, Hilary Coon. Kjo, sipas saj, e zgjeron kuptimin e rrezikut përtej modeleve tradicionale.

Studimi tregoi gjithashtu se ky grup nuk ishte më i prirur se popullsia e përgjithshme të shfaqte humor të ulët kronik apo neuroticizëm. Kjo sfidon qasjen dominuese të parandalimit të vetëvrasjeve, e cila mbështetet në identifikimin e depresionit dhe çrregullimeve të ngjashme. Nëse një person nuk është depresiv dhe nuk shfaq simptoma tipike, mjetet aktuale të depistimit mund të mos e zbulojnë fare.

Tani, ekipi i Coon-it po studion faktorë të tjerë të mundshëm rreziku, përfshirë dhimbjen kronike, inflamacionin dhe sëmundjet respiratore, si dhe tipare mbrojtëse që mund të shpjegojnë pse disa njerëz mbeten rezistentë.

Coon thekson se nuk ekziston një "gjen vetëvrasjeje". Qëllimi i saj është që mjekët të jenë në gjendje të identifikojnë njerëzit me rrezik të lartë edhe kur ata nuk shprehin mendime vetëvrasëse. "Njerëzit mund të jenë të cenueshëm pa e thënë kurrë se janë vetëvrasës," thotë ajo. "Shpresa jonë është të kuptojmë më mirë këto shenja të fshehta, në mënyrë që kujdesi të jetë më i saktë dhe më efektiv." / Neuroscience News - Syri.net