Ekzekutimi biznesmenit në Elbasan, grupi hetimor mbledh prova tek makina e djegur, arma e krimit brenda

Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku u ekzekutua biznesmeni 43-vjeçar Mond Mëhalla, i njohur gjithashtu me emrin Edmond Hyka. Viktima u qëllua sapo kishte dalë nga biznesi i tij dhe po hynte në automjetin e tij.

Gazetarja e Syri TV, Margarita Mëhillka, raporton nga Miraka ku është gjetur makina e djegur tip "Audi", i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit ndaj biznesmenit Mond Mëhalla, i njohur gjithashtu si Edmond Hyka, 43 vjeç, i ekzekutuar mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:30, teksa sapo kishte dalë nga biznesi i tij dhe po hynte në automjet.

Sipas raportimit, brenda automjetit të djegur është gjetur një armë tip berett, ndërsa nuk dihet ende identiteti i autorëve apo drejtimi në të cilin janë larguar. Dyshohet se automjeti është djegur shumë pranë një biznesi dhe ishte përdorur nga autorët gjatë atentatit. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë rreth orës 20:30 të mbrëmjes, por makina është gjetur e djegur vetëm sot, rreth 30 minuta para raportimit, shprehet gazetArja Mëhillka për Syri TV.

Policia ka shoqëruar rreth 10 persona dhe po kryen ekspertizën e makinës së djegur. Zona është e mbushur me kamera sigurie të bizneseve dhe aksit, të cilat priten të shqyrtohen nga hetuesit pas marrjes së pamjeve.

Burime bëjnë me dije se viktima kishte precedent penal dhe dyshohet të ketë qenë i përfshirë në aktivitetin e dyshuar të narkotikëve, përveç faktit se në Itali ka qenë me precedent penalë. Raportohet gjithashtu se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt disa ditë më parë, por kjo ende nuk është konfirmuar.

Në automjetin e viktimës janë gjetur gjurmë dhe gëzhoja, ndërsa motivet e ekzekutimit mbeten të paqarta. Viktima ishte pronar i një klubi, karburanti dhe një flote taksish.

Ekspertët dhe Policia e Elbasanit vazhdojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e krimit.

Njoftimi i Policisë:

Elbasan/Informacion shtesë

Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmë, ku mbeti i vrarë shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç, ditën e sotme u konstatua në fshatin Mirakë, automjeti tip "Audi", i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.