Edi Rama, ideatori dhe autori i vjedhjes së shekullit ‘rikthehet’ në vendin e krimit

Edi Rama, ideatori dhe autori i vjedhjes së shekullit, inceneratorit të Tiranës - dhe dy të tjerëve, atij të Fierit dhe Elbasanit — është rikthyer këtë fundviti në vendin e krimit, aty ku ka gllabëruar rreth 140 milionë euro për incenerator dhe incenerator nuk ka.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, njeriu që firmosi brenda ditës fët-fët 17 vendime qeverie në mënyrë të kundraligjshme dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, nuk e ka për gjë të bëjë shqiptarët për budallenj duke reklamuar tashmë vendin ku duhej të ishte incineratori si një landfill normal — pra, rikthim në pikën zero aty ku ishte para një dekade.

Edi Rama shkruan në videon shoqëruese: “Në Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve në Tiranë, puna vijon pa asnjë ndalesë, ku kryhen të gjitha hallkat e menaxhimit modern të mbetjeve dhe ku, falë investimeve, po rikualifikohet edhe i gjithë peizazhi përreth, ndërsa synimi mbetet rritja e sasisë së mbetjeve të rikuperuara dhe të ricikluara, për të ulur volumin që përfundon në landfill, teksa programi i edukimit mjedisor me nxënës dhe studentë po sjell një energji të re në arritjen e këtij objektivi”

Një dekadë vjedhje e paskrupull dhe tallje skandaloze me shqiptarët, ndërkohë SPAK bën sehir dhe nuk ka guxuar kurrë ta pyesë për ato vendime qeverie të firmosura me urgjencë.

Fakte të konfirmuara mbi aferën e inceneratorëve

Afera e inceneratorëve në Shqipëri — për impiantet në Elbasan, Fier dhe Tiranë — është dokumentuar dhe përshkruar në burime ndërkombëtare dhe të medias lokale si një nga skandalet më serioze me paratë publike të shekullit, kryer nën qeverisjen e Edi Ramës.

Sipas hetimeve të drejtësisë në Shqipëri, disa zyrtarë të lartë dhe kompani private u akuzuan për shpërdorim fondesh, korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me kontratat e koncesionit për ndërtimin dhe operimin e këtyre “inceneratorëve”, por për incineratorin e Tiranës drejtësia nuk i është afruar aspak dy autorëve kryesorë të aferës, Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Rezultatet ishin katastrofike: impiantet — veçanërisht ai i Tiranës — nuk u ndërtuan fare, ndërsa ai i Fierit mbeti teknikisht i papërfunduar/funksional.

Pra, aty ku Edi Rama sot ka publikuar një video propagandistike do duhet të ishte një incinerator.

Kontratat e incineratorëve Edi Rama dhe Erion Veliaj i parapaguan nga buxheti i shtetit — pavarësisht që impiantet nuk punonin ose nuk ekzistonin — duke shkaktuar humbje të mëdha financiare nga taksat e qytetarëve.

Në 2025 — nën planin strategjik të menaxhimit të mbetjeve për 2025–2030 — autoritetet kanë “zhdukur” termin “incinerator” nga fjalori, i përdorur gjerësisht publikisht për disa vite, duke sinjalizuar se qeveria ka ndryshuar zyrtarisht strategji për mbetjet, por pa mbajtur asnjë përgjegjësi.